10 gusht 2015 – Një prezantim spektakolar në “Mestalla”. Projekti i Valencias për sezonin futbollistik 2015-2016 u paraqit përpara tifozëve, në një pritje madhështore për ekipin. Lojtarët dhe stafi hynë në fushë njëri pas tjetrit, me nga një këngë që i shoqëronte në sfond, të zgjedhur nga secili prej tyre. Kjo bëri që mbrojtësi shqiptar, i cili përfaqëson Gjermaninë, Shkodran Mustafi, të kishte një prej prezantimeve më të veçantë. 

Në stadiumin “Mestalla” të mbushur, Mustafi hyri në fushë mes brohorimave, me këngën “24 h” e reperit shqiptar 2Ton. Pas prezantimit, nëpërmjet rrjeteve sociale mbrojtësi me origjinë shqiptare i falënderoi të gjithë tifozët për pritjen e jashtëzakonshme të rezervuar. Skuadrës së parë, iu bashkuan në fushë më tepër se 800 fëmijë dhe futbollistë të rinj, nga pesë Akademitë e klubit spanjoll. Në njërën anë të skenës qëndronte mozaiku i “Senyera”-s, i njohur më gjërësisht si flamuri katalan dhe në anën tjetër, mozaiku me logon e klubit të Valencias.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/