Në mesjavë opinioni publik u trondit nga lajmi i pasqyruar në të gjitha mediat e shkruara dhe ato vizive për vrasjen makabre të një 18 vjeçareje nga fshati Vëllazërim i komunës Xhafzotaj në Durrës. Normal korrespondentët ishin prezentë në vendngjarje, madje të përforcuar edhe me kolegët e tyre që kishin ardhur apostafat nga Tirana.

Një lajm i kronikës së zezë përbën një “scoop” nëse arrin të botosh i pari në gazetë emrin e autorit apo të hedhësh aludime nga më absurdet për autorin e vrasjes. Me këto raste, që janë mjaft delikate dhe kërkojnë t’i trajtosh me kujdes të veçantë, në përgjithësi abuzohet në mënyrë të frikshme duke shkelur edhe etikën gazetareske. Një ditë pas varrosjes së Aishes, në shkrimin e një të përditshmeje lidhur me ngjarjen, më tërhoqi vëmendjen një pyetje mjaft absurde që i ishte bërë babait të së ndjerës në momentin kur arkivoli i vajzës së tij po dilte nga shtëpia.

“A e vratë ju vajzën tuaj?”,- kishte pyetur artikullshkruesi. Sa e moralshme është një pyetje e tillë në momentin që një familje dhe një prind përgatitet të varrosë trupin pa kokë të së bijës? Sa profesionale është për një gazetar që të marrë rolin e hetuesit? Çfarë profesionalizmi kërkojmë të përcjellim kur titulli i një artikulli thotë: Merret ADN-ja e 40 burrave? Përveç përçudnimit fizik që iu bë viktimës, këtë herë media i rezervon edhe përçudnimin moral në sytë e të gjithë opinionit publik.

Një vajzë 18 vjeçare që priste të ndiqte studimet e larta për infermieri trajtohet sikur të ishte një femër e përdalë, klientët e së cilës duhet t’i nënshtrohen analizës së ADN-së për të gjetur fajtorin. Uria e medias për të bërë SCOOP dhe mënyra shpesh jo profesionale e trajtimit të informacionit dhe transformimi i tij për hir të shitjes së disa kopjeve më shumë po i varros për herë të dytë viktimat duke njollosur kujtimin e tyre.

Ndërsa dëgjojmë të flitet gjithë ditën për histerinë që ka mbërthyer një pjesë të shoqërisë shqiptare, e dëshmuar kjo me rastet e panumërta të kronikës së zezë, media duket sikur është vënë në pozicion pararojë për ta “pasqyruar” atë sa më imtësisht. Para disa ditësh ndërsa shihje në edicionet informative vetdjegien e ish të burgosurit Lirak Bejko të binte në sy se operatorët ndiqnin nga afër gjithë veprimet e tij, por askush nuk tha një fjalë, në tentativë për t’i ndryshuar mendjen atij njeriu që po shkonte drejt një akti ekstrem.

U mjaftuan vetëm me mbajtjen ndezur të kamerave, filmimin e atyre sekondave aq të shkurtra, por dhe aq të gjata për atë që digjej dhe me shfaqjen e tyre në kohë rekord në televizion. Misioni u krye. Edhe këtë herë mediat mund të mburreshin se kishin pamje eksluzive.

Në fund të muajit shtator televizioni amerikan Fox Neës kërkoi falje publike sepse transmetoi live një vetvrasje. Por pas ndjesës publike analistët amerikanë u shprehën se sa herë që në dukje televizionet kërkojnë ndjesë, nuk është se nuk e shijojnë rritjen e audiencës. Ndjesa në këtë rast përkthehet: Ju kërkojmë falje për ato që patë, por ju falenderojmë që na ndiqni.

Shoqëria po tregon se është e prirur drejt dhunës, kronika e zezë duket se e tërheq publikun. Sa më makabre të jetë ngjarja aq më shumë njerëzit tentojnë të mësojnë deri në detaje të dhëna rreth saj. Duket se këtë disa media e kanë kuptuar, madje po e shfrytëzojnë mjaft mirë. Por në këtë gjueti për informacion dhe për shitje “të papara” kanë harruar diçka.

Dinjiteti njerëzor është mjaft i brishtë. Ka një koracë delikate që thyhet keqazi nëse mbi të lëshohen aludime nga më absurdet. T’i lëmë viktimat në qetësinë e tyre dhe familjarët në dhimbjen që përjetojnë. Të mos gjymtojmë edhe më shumë të pafajshmit me maninë për të bërë vetë rolin e policit, hetuesit, prokurorit.