Drejtori i spitalit të Shkodrës, Senad Halluni, në një deklaratë për mediat tha se 3-vjeçari që ndërroi jetë dy ditë më pare, u paraqit në spital më 21 shkurt.

Halluni u shpreh fëmija pasi ka marrë mjekim i është rekomanduar që të shtrohet në spital por babai ka vendosur që ta marrë me vete.

Drejtori i spitalit shton se vogëlushi ka ardhur të nesërmen përsëri por ka qenë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore pothuajse pa shenja jete. Halluni thotë se 45 minuta më pas, fëmija ndërroi jetë.

Të premten në orën 16:40 në pediatri është paraqitur vogëlushi me shenja e të vjellave. Ai është trajtuar për këto simptoma sipas protokollit të spitalit. Familjarëve i është propozuar pas dy orësh të qëndrojnë në spital për të vijuar trajtimin.

Pas sqarimeve me familjarët, i ati vendosi për të marrë fëmijën dhe për të mos vazhduar trajtimin dhe këshillën e mjekes. Babai ka vendosur firmën në kartelë. Të shtunën në mëngjes ka ardhur në gjendje të rënduar në pediatri, pacienti 3-vjeçar, pothuajse pa shenja jete, me puls shumë të ulët. Në atë moment kanë qenë mjekët që janë munduar që të bëjnë reanimimin e fëmijës.

Për treçerek ore kanë vazhduar çdo procedurë të dhënies së ndihmës së shpejtë. Pas 30 minutash ka ardhur edhe e motra 8-vjeçare me të vjella. Më pas është vendosur menjëherë zhvendosja e saj në terapi intensive”, tha ai.

Mjekja nga ana tjetër është shprehur se ka qenë e pamundur ndërhyrja tek vogëlushi, pasi me kalimin e minutave parametrat jetësorë janë ulur vazhdimisht.

“Të shtunën natën fëmija ka qenë në shok kardiak, me parametra jete jonormale. Ishte e vështirë si situatë. Pas 5 minutash, kur u transportua në reanimacion, fëmija nuk na dha më asnjë shenjë. Ishte koha shumë e shkurtër, nuk na lejoi të zbulonim diagnozë. Ne kemi pyetur të afërmit nëse ka konsumuar diçka dhe na kanë thënë që jo. Do të ishte idealja të bëhej autopsia”, është shprehur mjekja.

Njoftimi i Policisë:

Më datë 21.02.2025, shtetasi S. Hasmegaj ka dërguar për mjekim në Repartin e Pedriatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër, 2 fëmijët e tij, vajzën 7 vjeçe dhe djalin 3 vjeç, të dyshuar me virozë stine. Pas mjekimit, shtetasi S. Hasmegaj dhe 2 fëmijët janë larguar në banesë.   

Për shkak të rëndimit në gjendjes shëndetësore të fëmijëve, në banesë, më datë 22.02.2025, shtetasi S. Hasmegaj i ka dërguar përsëri 2 fëmijët për mjekim në Repartin e Pedriatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër.

Pavarësisht ndihmës mjekësore, 3-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa 7-vjeçarja u dërgua në QSUT, për mjekim të specializuar.  

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 3-vjeçarit.