Vdekja nga një aksident në punë i një 35-vjeçari në zonën e plazhit në Durrës, i ka kushtuar lirinë dy punonjësve të firmës që realizon ndërtimin e pedonales.
Policia e Durrësit sqaron se janë arrestuar shtetasit Enrik Mahmutaj dhe Blerim Margeshi, të akuzuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
35-vjeçari Andi Lala, banues në Kodër Kamëz humbi jetën ditën e premte për shkak të një aksidenti në punë, ndërsa po krasiste pemët në zonën e plazhit. Ai ra nga koshi i vinçit dhe gjeti vdekjen në vendngjarje.
“Në lidhje me informacionin paraprak të ditës së djeshme, për një shtetas që humbi jetën duke punuar, ju bejmë me dije se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për këtë ngjarje të ndodhur në lagjen nr.13, ku humbi jetën punonjësi i një firme që kryen punime për ndërtimet e pedonales në këtë zonë, i cili po priste degët e palmëve, pa lejen e organeve kompetente, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasit:
E. M., 33 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtues teknik i firmës;
B. M., 42 vjeç, banues në Durrës, drejtues i vinçit nga i cili ra shtetasi A. L., 35 vjeç, banues në Tiranë, i cili për pasojë humbi jetën”,- njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.





