Familjarët e biznesmenit vlonjat Bukurosh Malaj këmbëngulin në dyshimin e tyre se ai është vrarë.

Sipas tyre, deklarata e dhënë nga vajza, me të cilin ai ka qenë i shoqëruar në automjet, nuk është e vërtetë dhe se Policia duhet të hetojë.

Vëllai i 46- vjeçarit që ndërroi jetë pak ditë më parë, Milto Malaj shprehet se ngjarja nuk mund të jetë aksident, pasi, sipas tij, makina nuk ka asnjë shenjë dëmtimi.

Ai thekson se automjeti me të cilin udhëtonte i vëllai ndodhet i bllokuar nga Policia. “Policia të mos e hetojë ngjarjen vetëm si aksident, por si vrasje. Ne kemi dyshime të forta se deklarata, e dhënë nga vajza që është ndaluar, nuk është e vërtetë. Ajo deklaron se vëllai im ka nxjerrë kokën nga dritarja e makinës dhe aty e ka përplasur një kamion. Pse duhej ta bënte ai këtë?!”, shprehet Milto Malaj.

Ai mohon të ketë pasur dijeni për lidhje të mundshme të të vëllait me vajzën që ditën e ngjarjes policia deklaron se ka qenë në timon. Por, edhe për këtë fakt, Malaj ngre dyshime, pasi sipas tij nuk kishte asnjë shkak që i vëllai të ishte pasagjer në makinën e tij.

Z. Malaj, keni ngritur dyshime mbi vdekjen e vëllait tuaj. Ku bazoheni ju në atë çka dyshoni, duke qenë se Policia zyrtarisht e ka klasifikuar ngjarjen si aksident.

Hedhim dyshime të forta se vëllai im nuk është aksidentuar, por e kanë vrarë. Mjeti ku ndodhej vëllai im nuk kishte asnjë shenjë aksidenti, ndërsa ai, na thonë, se gjendej në vendin e pasagjerit. Ai ishte drejtues shumë i mirë. Pse duhej të gjendej në vendin e pasagjerit? Nëse do të kishim të bënim me ndonjë aksident, atëherë mund të themi se mjeti do të kishte pësuar dëme, sepse kështu ndodh në automjetet që përfshihen në aksidente, apo jo?

A keni ju pamje të mjetit që nuk ka asnjë shenjë aksidenti?

Jo, nuk kemi mundësi ta sigurojmë këtë, pasi makina ndodhet e bllokuar nga policia.

Ku i kishte marrë plagët vëllai juaj?

Është goditur pas kokës, në krahun e djathtë të saj. Ka marrë plagë të forta dhe të thella, aq sa u desh që të shkonte në Tiranë për ndihmë më të specializuar. Por aty ndërroi jetë pas tri ditësh në koma.

Në Polici ka dëshmuar edhe një vajzë 21 vjeçe, për të cilën Policia dyshon se ka qenë ajo në timon…

Ajo nuk ka thënë të vërtetën dhe për këtë kam mjaft dyshime. Vajza ishte me të në kohën kur ka ndodhur e gjithë ngjarja dhe nuk ka thënë të vërtetën në polici. E gjithë ngjarja është e mbuluar me mister. Pasi flitet për aksident, ajo thotë se vëllai im kishte nxjerrë kokën jashtë… Pse duhej ta bënte ai këtë? Kemi dyshimet tona se vajza që ishte me të nuk ka thënë të vërtetën.

A keni qenë ju në dijeni të lidhjes së vëllait tuaj me këtë vajzë?

Jo, nuk kemi pasur dijeni dhe as e dimë nëse këto lajme që kanë dalë për lidhje mes tyre janë të vërteta. Unë nuk di asgjë për lidhje mes tyre.

Ju si e mësuat ngjarjen?

Ishim në shtëpi kur na njoftuan për ngjarjen dhe u nisëm drejt Tiranës, pasi vëllai ishte në gjendje të rëndë dhe koma.

Ka pasur vëllai juaj më parë shqetësime?

Dimë që ka marrë kërcënime të ndryshme. Madje, edhe para disa kohësh, e kanë grabitur duke i marrë lekët dhe makinën. Por, edhe gjatë kësaj kohe, në ato çfarë na ka thënë, kishte marrë disa kërcënime të ndryshme.

Çfarë kërkoni sot nga drejtësia?

Thjesht kërkojmë që të zbardhet e vërteta. Që ngjarja të mos trajtohet thjesht si një aksident. Ne mendojmë se vëllanë e kanë vrarë, nuk ka qenë një aksident i thjeshtë, ashtu si është thënë deri më tani nga Policia apo vajza që ka qenë së bashku me atë. Të shpresojmë në zbardhjen e ngjarjes, pasi vrasjet rrallë zbulohen… Ne kërkojmë që gjithçka të dalë në dritë. Referuar grabitjes dhe kërcënimeve që vëllai kishte marrë, ne si familjarë dyshojmë se nuk është aksident, por e kanë vrarë. /Panorama