Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja ka marrë në mbrojtje ekipin mjekësor të akuzuar për neglizhencë pas vdekjes së 35-vjeçares shtatzënë me fëmijën e saj 9 muajsh në bark. Nga qyteti i Durrësit, ministri deklaroi se ndaj gruas janë kryer të gjitha shërbimet e duhura mjekësore, dhe është konkluduar se vdekja ka ardhur si rezultat i dëmtimit të shpretkës, një rast i rrallë ky. Beqja ka hedhur poshtë të gjitha deklaratat e të afërmve të nënës shtatzënë, të cilët akuzuan mjekët për sorollatje, për mungesë të oksigjenit në autoambulancë, dhe për mbylljen e urgjencës së maternitetit për 20 minuta. Ministri nuk iu përgjigj pyetjes se përse urgjenca e maternitetit “Koco Gliozheni”, ka qenë e mbyllur për 20 minuta ndërsa gruaja shtatzënë ishte dërguar aty për ndihmë.   

“Është ngjarje tragjike dhe e dhimbshme. I shpreh keqardhje dhe ngushëllime familjes. Ka vdekur një nënë e ka lënë dy fëmijë jetimë. Ministria nëpërmjet dy komunikatave e ka sqaruar ngjarjen se ka rrjedhur. Unë konfirmoj se deri tani sistemi ka funksionuar. Edhe organet e drejtësisë janë duke punuar për të zbardhur këtë çështje. Ju konfirmoj se situata ka qenë e komplikuar. Mjekët kanë qenë aty. I janë kryer të gjitha ekzaminimet imazherike dhe laboratorike. Ka pasur hemorragji nga një dëmtim në shpretkë. Ne si ministri përtej organeve të drejtësisë po bëjmë punën tonë për të zbardhur deri në fund të vërtetën e sistemit.

Në këtë situatë tragjike nuk duhet të na udhëheqin emocionet e nuk duhet të hedhin direkt barrën te mjekët pa dalë konkluzionet. Të gjitha pajisjet dhe autoambulancat kanë pasur të gjitha mjetet e nevojshme për ta transportuar atë paciente në atë gjendje të rëndë”, u shpreh Beqja.

K.H.