Prokuroria e Tiranës pritet që të kërkojë nga 45 ditë burg për dy mjekët e maternitetit ‘Koço Gliozheni’ që u ndaluan me akuzën e neglizhencës dhe mjekimit të gabuar në rastin e nënës shtatzënë që humbi jetën bashkë me foshnjën 9-muajsh në bark.
Prokuroria është në pritje të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor për shkaqet që sollën vdekjen e 35-vjeçares me fëmijën para 4 ditësh në Tiranë.
Dy mjekët e akuzuar për neglizhencë dhe mjekim të gabuar janë Dritan Deçka dhe Helidon Klosi, ndërsa gjinekologia Nazmie Ceni po hetohet në gjendje të lirë.
Aida Çajka nuk mundi të mbijetojë pas komplikacioneve shëndetësore në muajin e nëntë të shtatzënisë. Ajo u transportua me urgjencë nga familjarët e saj drejt maternitetit “Koço Gliozheni” mbrëmjen e të mërkurës, të cilët pretendojnë se 35-vjeçarja ndërroi jetë bashkë me fëmijën e palindur për shkak të neglizhencës së mjekëve.
Ndërsa sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e reja vdiq për shkak të një hemorragjie në shpretkë.





