SHBA– Një 68 vjeçar nga Florida ka humbur jetën i shtypur nga makina që drejtohej nga qeni i tij. Mediat amerikane raportojnë se James Campbell vdiq menjëherë, pasi u godit nga automjeti që drejtohej nga kafsha shtëpiake.

Sipas policisë amerikane, Campbell sapo kishte mbërritur në shtëpi dhe kishte zbritur nga automjeti për të hapur derën e garazhit. Ndërkohë partnerja e tij, Iris Fortner, e ulur në sediljen e pasagjerit po priste rikthimin e Campbell. Në këtë moment, meqë dera e makinës ishte e hapur, është futur brenda qeni i tyre i racës boxer, i cili menjëherë ka shtypur pedalen e gazit.

Makina e ndezur është turrur drejt 68 vjeçarit, i cili ka përfunduar nën rrotat e saj duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Megjithë tentativën e Fortner për të ndaluar automjetin, nuk ka qenë e mundur të shmangej tragjedia.

Policia e Floridës është duke e hetuar rastin në fjalë, por nuk ka ngritur padi ndaj partneres së të ndjerit.