Përfundoi tragjikisht jeta e një vajze të re, e cila nuk mundi t’i shpëtojë vdekjes ngaqë u infektua me virusin AIDS. Vjosa ka vdekur në duart e bluzave të bardha, pas komplikacioneve shumë të forta dhe përmbysjes së të gjithë treguesve shëndetësorë. Fare pak mjekë e dinin se çfarë kishte ndodhur me Vjosën, vajzën 28- vjeçare. Tani prindërit dhe dy motrat e saj janë mbuluar nga zia. Veç humbjes së parakohshme të njeriut të zemrës duhet të përballen edhe me opinionin.

E ëma e Vjosës nuk e ngre kokën. Ajo është e bindur se vajza e saj e ka marrë këtë virus gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale jashtë vendit. Në banesën e tyre hyjnë e dalin pa pushim miq e të afërm të familjes, por edhe shoqe të viktimës së SIDA-s. Secili qëndron mënjanë, larg nga kureshtja për të mësuar se si dhe pse e pësoi vajza 28-vjeçare. Për disa vite Vjosa ka jetuar në emigrim, larg nga familja. Kjo e ka bërë edhe më të fshehtë jetën e saj. Prindërit pak dinë për vitet e emigrimit.

Tani ajo nuk jeton më, ndërsa ka lënë pas hijen e frikës për shumë të rinj të cilët përballen me panikun nga infeksioni. Në Durrës, mjekët nuk kanë ndonjë informacion për numrin e personave të prekur nga virusi vdekjeprurës apo të personave të droguar. Megjithatë, bluzat e bardha pranojnë se kanë trajtuar shumë të rinj e të reja që konsumojnë lëndë narkotike dhe të tjerë të prekur nga SIDA.

Ka nga ata infermierë e infermiere që i njohin këta pacientë me emër si dhe dinë shumë gjëra për jetën e tyre private. Por asnjëri nuk flet. Jo pak prej tyre e njohin, apo më saktësisht e kanë njohur Vjosën. E përshkruajnë deri në detaje vajzën që tani u ka lënë vetëm kujtimet.

Fshati i lindjes

Vjosa ishte vajzë e rritur në një familje, e cila pasi u transferua nga një zonë e thellë e Jugut të vendit për në Durrës. Prindërit kishin tre vajza, ku Vjosa ishte fëmija më i madh. Kanë qenë arsyet ekonomike që i kanë shtyrë prindërit e tri vajzave për të kërkuar një tjetër jetë jashtë fshatit të tyre të varfër, me pak tokë dhe i kërcënuar nga mjerimi.

Nuk ka shumë vite që janë vendosur në afërsi të Urës së Dajlanit, në hyrje të qytetit të Durrësit. Aty kanë marrë me qira një banesë prej së paku 6-7 vitesh. Nëna e Vjosës, e cila pranon të thotë ndonjë fjalë tek-tuk sa për të na dhënë mundësinë të mësojmë diçka, tregon nën zë se pas ikjes së vajzës për në Greqi gjërat në familjet e tyre u rrokullisën.

Për të shpëtuar nga gojët e liga vendosën ta braktisin vendin, fshatin, të afërmit. Gruaja kujton se nuk ishin të paktë ata që u trokitën në derë dhe u thanë se do e kishin më të vështirë jetën nëse do t’i kthenin kurrizin fshatit. Por në fshat nuk kishte asnjë mundësi jetese. Aty kishin mbetur pak shtëpi dhe pak banorë. Ata që jetonin aty thuajse nuk punonin dhe s’u mbetej gjë tjetër veçse të merreshin me fjalë.

Jo se fshati dinte ndonjë gjë të sigurt për Vjosën dhe jetën e saj private, por për ata ka mjaftuar fakti se vajza është larguar për në Greqi e pashoqëruar. Pikërisht këtu nisën edhe dyshimet e para. Nëna thotë se e bija e saj ishte fëmija më i rritur dhe për këtë arsye e vuante rrënimin ekonomik.

Në fshat, Vjosa përfundoi arsimin e mesëm dhe u largua për në Greqi për të mos e parë për vite e vite me radhë fshatin e lindjes. Në fshat, asnjëri prej prindërve nuk punonte. Jetonin me një ndihmë ekonomike, ndërsa dajat e vajzave, emigrantë, dërgonin ndonjë ndihmë herë pas here për t’u lehtësuar disi gjendjen.

Burrat dhe djemtë e fshatit përgjithësisht shkonin në Greqi, pasi fshati i Vjosës ishte jo shumë larg kufirit me këtë shtet. Fëmijëria e saj ishte përgjithësisht e qetë. Shoqërohej me vajzat e lagjes dhe të shkollës, kishte shumë pak kërkesa, ndryshe nga shumë bashkëmoshatare. Nëna e Vjosës tregon se me kalimin e viteve dhe me rritjen e vajzës gjërat erdhën duke ndryshuar. Fëmija i madh i shtëpisë filloi të bënte jetë disi të mbyllur dhe fare pak shoqërohej me vajzat e fshatit.

Nervozohej, grindej me veten, dëshironte të kalonte më shumë kohën duke qëndruar e vetme si dhe prekej lehtë. Ishte ndryshe nga dy vajzat e tjera të shtëpisë. Sipas së ëmës megjithëse kishte këto huqe të gjithë e donin dhe e mbanin afër. Kjo ndikoi në ndryshimin e temperamentit në mënyrë graduale. Me të nisur shkollën e mesme Vjosa nuk ishte më ajo e para.

Lëshoi shtat dhe tiparet fizike e bënin të binte në sy. Ishte e hijshme, e gjatë dhe me fytyrë të rrumbullakët. E ëma rast pas rasti tregon se marrëdhëniet e saj e të bashkëshortit me Vjosën ishin të mira. Vajza i dëgjonte këshillat e tyre, nuk rrinte gjatë në shtëpitë e vajzave me të cilat ishte kushërirë, si dhe nuk shkonte për të shëtitur siç ndodhte në jo pak raste me fëmijët e moshës së saj.

Pavarësisht varfërisë pesë anëtarët e familjes bënin jetë të qetë deri ditën kur vajza iku për të marrë rrugën e emigrimit.

Emigrimi

Në vjeshtën e vitit 2001 Vjosa kishte mbushur 18 vjeç. Me të përfunduar shkollën e mesme i kthen krahët shtëpisë, prindërve dhe motrave. Të gjithë e pritën me frikë vendimin dhe veprimin e saj.

Ndonjëherë, sipas së ëmës, vajza e madhe u hidhte ndonjë fjalë sa për t’i paralajmëruar. Fare pak gjëra dihen se si iku, cilët e shoqëruan, pse vendosi të braktiste prindërit. Fillimisht u tha se Vjosa ishte larguar nën shoqërimin e dy çifteve, njëri prej të cilëve ishte banor i fshatit dhe me të cilin prindërit e saj kishin marrëdhënie të rregullta.

Por me kalimin e ditëve kjo nuk qe e saktë. Prindërit mësuan se ajo kishte ikur, por jo me ata me të cilët besohej. E ëma thotë se pasi Vjosa ishte larguar iu kujtuan fjalët që ajo hidhte ndonjëherë duke ua bërë të ditur se në kohën që ajo po jetonte mund të bënte jetë të pavarur me të mbushur 18 vjeç.

Siguria në vetvete e shtyu drejt të panjohurave. Ishte vajzë me një botë të gjerë dhe shpirt human. Vjosa kishte mundur të vizitonte disa qytete si Sarandën, Vlorën e Beratin, ku kishte shkuar ekskursion me klasën. Kjo, me sa duket ia hapi edhe më shumë sytë. Me rritjen e trupit dhe të moshës, nisën të rriteshin edhe kërkesat e vajzës.

Sipas nënës së Vjosës, vajza e madhe e kishte ndarë mendjen të gjente një tjetër mundësi për të jetuar. Ia kishte shprehur disa herë prindërve se fshati i tyre ishte i varfër dhe se ajo pak tokë dhe një lopë nuk do të mund ta mbanin familjen. Gjimnazi nuk i kishte dhënë ndonjë mundësi për të përfituar njohuri profesionale, megjithatë ky fakt nuk u bë pengesë dhe as nuk e tërhoqi nga vendimi i marrë.

Gruaja e shtëpisë nuk di të thotë nëse e bija kishte të dashur me të cilin mund të ishte larguar. Një dyshim i tillë nuk është se përjashtohet nga ajo, por nuk ka aspak dëshirë të flasë për këtë. Vetë nëna e vajzës shprehet se diçka i ka thënë e bija në kohën që është kthyer nga Greqia për t’u kuruar në Tiranë.

Gjatë kohës që qëndroi larg familjes, Vjosa mësohet se ka mbajtur kontakte të rregullta me prindërit dhe ka biseduar sistematikisht në telefon me ta. Disa vende pune ka ndërruar gjatë atyre viteve. Nëse ishin apo jo të vërteta ato që thoshte askush nga familja nuk e vërteton këtë. Aq më pak tani që Vjosa nuk jeton më.

Nga Greqia ajo u lutej prindërve të iknin nga fshati dhe të vendoseshin në ndonjë qytet. Në Durrës kishin disa të afërm dhe bashkëfshatarë me të cilët mund të rikrijonin lidhje. Kështu bënë. Vajza u ka dërguar para herë pas here nga Greqia, ndërsa u tregonte se ajo vetë jetonte shumë mirë dhe se nuk i mungonte asgjë.

E zonja e shtëpisë tregon se pasi Vjosa emigroi ata nuk kanë vuajtur më për ushqime e veshmbathje. Madje kanë jetuar mirë deri sa vajza u ekzaminua me SIDA. Ata kanë ndërtuar edhe shtëpinë në lagjen nr.17, por nuk kanë hyrë ende brenda. Humbja e lidhjeve me Vjosën për një kohë të gjatë vuri në siklet familjen e cila më pas mësoi se vajza kishte qenë në spital dhe atje ishte infektuar me SIDA.

 

Vjosa, vajza nga një fshat i jugut, mbylli sytë pas përkeqësimit të shëndetit si pasojë e prekjes nga virusi HIV. Ndërsa e reja pretendonte se e kishte marrë sëmundjen vdekjeprurëse gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale në vendin fqinjë, Greqi, familjarët dhe të afërmit dyshonin se ajo për vite me radhë ishte përfshirë në rrjetet e prostitucionit

Së paku këtë i kishte thënë vajza nënës së saj. Fare pak dinë prindërit për jetën private të vajzës dhe shoqërinë e saj. Vetë Vjosa është treguar e rezervuar dhe e heshtur në këtë drejtim. I është mënjanuar pyetjeve dhe kureshtjes së familjarëve dhe të afërmve. Këta të fundit e kanë lënë në jetën e saj sapo kanë mësuar se vajza ishte shumë e sëmurë dhe pa asnjë shpresë për jetën.

Për shumëkënd prej tyre lajmi se Vjosa ishte me SIDA nuk shkaktoi befasi, por asnjëri nuk e besonte se ajo do të ndërronte jetë shumë shpejt. Largësia nga vendi e familja, jeta e vetmuar, dyshimet lidhur me punën që ka bërë për shumë kohë nuk u zbardhën. Sa herë që vinte biseda në tema të tilla dhe sidomos për çështje si: bashkëjetesa, jeta në emigrim, prostitucioni, Vjosa mbyllej në vetvete.

Familjarët tregojnë se gjente mundësi të tjera për ta ndërruar bisedën. Kjo u ka shtuar atyre dyshimet. Vjosa u kthye pranë familjes vetëm në kohën që e këshilluan mjekët grekë. Për 10-11 vite ata nuk ishin parë. Ca nga sëmundja dhe ca nga emigrimi Vjosa ishte më ajo e para, e qeshura dhe e dashura.

Infektimi

Gjendja shëndetësore e Vjosës nisi të përkeqësohej në vitin 2009. Të parat ekzaminime mësohet se i ka bërë në Greqi, atje i është nënshtruar edhe një terapie intensive. Për disa muaj vajza është vendosur në një spital grek, e izoluar. Nëna e saj thotë se ka kaluar disa javë në infektiv, ndërsa ka hyrë e ka dalë disa herë nga spitali.

Familja nuk e di, apo së paku nuk e thotë se në cilin spital ka qëndruar dhe është kuruar vajza. Ndaj edhe dyshimet e nënës së saj lidhur me origjinën e marrjes së virusit mbeten të paqarta. Ajo pretendon se vajza e ka marrë SIDA-n në kohën që është detyruar të bëjë një operacion për të hequr apendesitin. Por shumë njerëz të afërt thonë se Vjosa ishte përfshirë në një rrjet prostitucioni.

E detyruar nga kushtet dhe përballë sfidës për ta përballuar e vetme jetën, ajo ka dalë në rrugë për shumë vite. Nëna e saj herë pas here apelon për vajzat dhe djemtë që të kenë mendtë në kokë e të tregojnë kujdes. Vjosa nuk ka ngurruar t’i tregojë të ëmës se ka kryer kontakte seksuale pa masa mbrojtëse, por i ka qëndruar deri në fund pohimit se SIDA-n e ka marrë nga pakujdesia e bluzave të bardha në Greqi.

Fakti që ajo nuk ka treguar në asnjë rast se në cilin spital apo klinikë kishte realizuar ndërhyrjen kirurgjikale për apendesitin, ka lënë dyshime lidhur me pohimin e saj të mësipërm. Nga ana tjetër besohet se ajo nuk është detyruar me forcë të ndërmarrë rrugën e prostitucionit.

Më shumë duket si një zgjedhje personale e saj. Vjosa u ka sjellë prindërve një tufë me fotografi dhe aty dalin në pah jo vetëm hiret joshëse të kësaj vajze, por edhe veshja me rroba të kushtueshme, sasia e madhe e bizhuve, byzylykëve dhe sendeve personale të shtrenjta. Fotot janë shkrepur në plazhe të bukura, pishina, sallone, lokale të këndshme e parqe të gjelbëruara.

Garderobë e pasur dhe me guston e një vajze të re. Thuajse të gjithë familjarët e të afërmit janë të bindur se Vjosa ka ushtruar prostitucionin. Ndoshta për 8-9 vite, që ditën që hyri në tokën e huaj.

Sëmundja dhe kurimi

HIV AIDS përgjithësisht shfaqet pas 10 vitesh, por kjo është në varësi të kushteve që gjen në organizëm. Në rastin e Vjosës e tërë jeta saj është rrokullisur për 2.5 vite që nga koha e ekzaminimit si e infektuar. Sipas mjekëve që e kanë trajtuar vajzën në Tiranë e në Durrës, pakujdesia e saj ka përshpejtuar sëmundjen.

Bluzat e bardha flasin me siguri, nisur edhe nga vërejtja me kujdes e të gjithë dosjes së saj, se ku thuhet qartë se Vjosa ka kryer marrëdhënie seksuale pa masa mbrojtëse dhe me numër të madh partnerësh. Mjekët grekë e këshilluan vajzën të kthehej pranë familjes duke i bërë të qartë edhe diagnozën. E vetmja mundësi për të ishte të merrte rregullisht medikamentet.

Sapo ka mbërritur në Shqipëri ajo i është drejtuar qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Aty është konsultuar dhe diagnostikuar nga profesorët Dh. Kraja dhe N. Çomo. Asgjë nuk ka ndryshuar nga kartela shoqëruese. Vjosa ishte e infektuar madje në gjendje terminale.

Simptomat e saj të para ishin anoreksia, djersitjet e vazhdueshme, pagjumësia, dhembjet e forta dhe gjendja depresive. Për plot një muaj u mbajt nën mjekim dhe vëzhgim të pandërprerë në spitalin infektiv e më pas familja u këshillua ta merrte vajzën në shtëpi. Në epikrizën e saj është shënuar se pacientja nuk arrin të kontrollojë urinimin e defikimin, ndërsa të vjellat ishin shfaqur në mënyrë të përditshme.

Pas diagnostikimit me virusin HIV ajo ka marrë terapi të pandërprerë e cila mësohet se ka vijuar për rreth 2.5 vite. Gjatë kësaj periudhe kur mendohet se ka bërë të parin ekzaminim dhe deri ditën që ka lënë spitalin e Tiranës, vajzës i është dashur të shpenzojë shumë. Të gjitha fitimet gjatë viteve të qëndrimit në Greqi shkuan për shëndetin e saj.

Pasi mbërrin në familje mjekët që e kanë trajtuar deri ditën e fundit janë detyruar të kërkojnë ndihmë tek bluzat e bardha për të përballuar medikamentet për vajzën e prekur nga SIDA si dhe në shumë raste kanë blerë ushqime për familjen. Vajza në muajt e fundit nisi të shfaqte shenjat e theksuara të humbjes së kujtesës dhe të rëndimit nga gjendja emocionale.

Tretja e trupit nga SIDA ka ndodhur shumë shpejt, aq sa vajza e përgjysmoi peshën e saj në më pak se dy muaj. E mbledhur kruspull Vjosa qëndronte në pritje të mbërritjes së mjekut për të marrë qetësuesit, ndërsa familjarët lotonin fatin e së bijës.

KËSHILLAT

Si mund të mbrohemi nga SIDA

I vetmi mjet i mundshëm që mbron nga infektimi me HIV është parandalimi. Parimisht, çdo njeri që ka pasur marrëdhënie seksuale pa përdorur prezervativin, mund të jetë i infektuar me HIV. Ne kurrë nuk mund të jemi të sigurt. Për këtë arsye para çdo raporti seksual këshilloheni të merrni masat mbrojtëse. Në të njëjtën kohë duhet të tregoni kujdes gjatë përzgjedhjes së prezervativit. Tregohuni të vëmendshëm përsa i përket kualitetit të tij. Një prezervativ kualitativ vërehet në ambalazh/mbështjellës. Në ambalazh është e shënuar me label/shenjë kualiteti “MD” ose “CE” dhe/ose “ok”. Blini vetëm prezervativë me këto shenja kualiteti. Kini kujdes për datën e skadimit të afatit të përdorimit. Preservativët mos i ruani në ambiente me temperatura të larta, mos i ekspozoni në diell dhe mos i mbani në portofol.

HIV/AIDS

Kur duhet të bëni testin?

• Nëse keni patur marrëdhënie seksuale me ndonjë person pa e përdorur prezervativin, “biografinë seksuale” të të cilit ju nuk e njihni.

• Nëse gjatë marrjes së drogës keni përdorur shiringat të përdorura më parë nga persona të tjerë.

• Nëse gjatë tetovimit nuk keni përdorur shiringë sterile.

• Nëse keni marrë transfuzion gjaku ose produkte të gjakut të patestuar përsa i përket antitrupave HIV.

• Nëse keni marrëdhënie jetësore stabile dhe me partnerin/partneren tuaj keni vendosur që në të ardhmen të mos e përdorni prezervativin.

• Nëse jeni shtatzënë ose dëshironi shtatzaninë, duhet t’i nënshtroheni anamnezës së rrezikut nga infektimi i mundshëm me HIV-in duke bërë testin përkatës.

STATISTIKA

Zbulohen 54 raste të reja për 10 muaj 

Në ditën botërore të SIDËS (1 dhjetor) janë bërë të ditura statistika të reja për numrin e të prekurve. Për 10 muaj në të gjithë vendin janë zbuluar 54 raste të reja me SIDA. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik ngrenë alarmin se virusi tashmë qarkullon brenda territorit. “Të diagnostikuarit nuk janë më vetëm emigrantët. Gjeografikisht sëmundja ekziston në të gjithë territorin e vendit”,- sqarojnë specialistët e ISHP-së. Edhe grupmoshat janë të ndryshme, por mbizotëron ajo nga 30-39 vjeç. Specialistët pohojnë se thuajse të gjithë personat e infektuar e kanë marrë sëmundjen me rrugë seksuale. “Për fat të mirë, nuk kemi asnjë të sëmurë që është infektuar nga gjaku. SIDA haset te grupet e riskut që janë homoseksualet ose përdoruesit intravenozë të drogës, mbi 70% e personave të infektuar i përkasin popullatës heteroseksuale”,- sqarojnë specialistët e ISHP-së. Përsa i përket raportit femra-meshkuj mbizotërojnë këta të fundit. Kjo jo vetëm për rastet e reja, prej të cilave 28 i përkasin kësaj gjinie, por edhe në grafikun e numrit total të të prekurve. Virusi HIV shfaqet ndryshe nga një person te tjetri. Ai përmban brenda 24 sëmundje, të cilat prekin zonën më delikate të trupit. Shenjat e kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse mund të jenë të dallueshme. Në mbi 40 për qind të rasteve, ajo mund të shfaqet me kollë, infeksion të gojës, ku mund te dalin puçrra të mëdha e të kuqe në brendësi të saj.