Një shqiptar humbi jetën në Itali si pasojë e një aksidenti rrugor. Ngjarja ndodhi të enjten mbrëma teksa 67-vjeçari, emri i të cilit nuk është bërë publik, ishte duke ecur në këmbë kur u përplas nga një makinë.
Aksidenti u shënua në një rrugë provinciale në Valperga. Siç shkruajnë mediat italiane, dëmtimet që ai kishte marrë ishin shumë të mëdha dhe humbi jetën në vendin e ngjarjes.
Shqiptari sapo kishte blerë disa pajisje pune, mes tyre edhe një sharrë elektrike. Me pajisjet e reja ai ishte nisur drejt shtëpisë, ku për arsye që nuk dihen ende u godit nga një makinë Audi Q2 kur po kalonte rrugën.
Policia thotë se nuk ka patur shenja frenimi në rrugë dhe përplasja ka qenë shumë e fuqishme, duke e hedhur 67-vjeçarin të paktën 30 metra larg vendit të ngjarjes.
Në lidhje me ngjarjen policia ka ndaluar një 71-vjeçar që drejtonte makinën. Ai ka dhënë deklaratën në polici dhe më pas është dërguar në spital në gjendje shoku.