Bilanci i viktimave nga tërmeti i 24 gushtit në Itali, në qytezën e Amatrice-s është 246 persona. Ndërsa mendohej se të gjithë kufomat ishin identifikuar dhe varrosur, një sit rumun Ziare.com shkruan për dy rumunë Victor dhe Simona Paunescu, prej vitesh rezidentë në Amatrice.
Kufomat e tyre janë gjetur dhe janë dërguar në Rumani, ku janë varrosur. Por më vonë, nën rrënoja është gjetur një tjetër trup, i cili është njohur nga vajzat e tij dhe në bazë të AND-së i përket pikërisht Victor Paunescu-s.
Në këtë mënyrë, personi i varrosur në Rumani nuk është Victor-i.
Sipas medieve italiane, Victor punonte në një furrë dhe në momentin e tërmetit duhet të ketë qenë në vendin e punës. Ndërkohë trupi i gjetur në pallatin, ku ai banonte mendohet se i përket një italiani me emrin Giuseppe.
Tashmë trupi i Giuseppe do të zhvarrohet dhe do të udhëtojë nga Rumania drejt Italisë, ndërkohë që kufoma e Victor do të udhëtojë në krah të kundërt, për t’u varrosur në atdheun e tij.





