Prej katër ditësh, CNA ka publikuar përgjime nga paraburgimi i Durrësit ku ndodhet kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Në dosje evidentohet një gjuhë e ashpër dhe kërcënuese që ai përdor ndaj ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, të cilin e quan “qelbësirë” dhe “katundar i ndyrë”, duke thënë se “do ta mbysë me thonj”.

Veliaj i kërkon gruas së tij, Ajola Xoxa, dhe vëllait, Arbër Veliaj, të ndërhyjnë te miqtë e afërt – përfshirë Mero Bazen dhe Gent Sulën – që t’i kërkojnë ministrit Manja të mos e transferojë në një IEVP tjetër me siguri të lartë, të cilën ai e quan “Alkatraz”.

Sipas përgjimeve, më 21 shkurt, në orën 10:46, Veliaj është i shqetësuar për një transferim të mundshëm dhe kërkon që “të gjithë të merren me Dibranin”, referuar Manjës. Ai shprehet se është në gjendje të rënduar psikologjike dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Në një tjetër bisedë më 24 shkurt, ai thotë se sërish ka informacione për një transferim në “Alkatraz”, duke u shprehur se “po i shkelen të drejtat” dhe se një lëvizje e tillë do të ishte “e ndyrë”.

Më 8 mars, në një bisedë me Arbrin, Veliaj diskuton për një kontratë me avokatë amerikanë, e cila sipas tij nuk duhej të bëhej publike. Arbri i përgjigjet se dokumenti ka kaluar në disa institucione dhe është i ligjshëm.

Po ashtu, më 10 mars, në IEVP-në e Durrësit është zhvilluar një vizitë nga Joshua Roberts, i cili u paraqit si konsulent ligjor, por nuk u lejua të marrë pjesë në seancën e 11 marsit në Apelin e GJKKO-së nga gjyqtari Engert Pëllumbi.

Në një bisedë më 9 mars, Veliaj flet me Arbrin në anglisht, duke thënë se ka vetëm një ditë kohë dhe nëse nuk fitojnë në seancë, do të qëndrojë në burg “për shumë gjatë”. Ai kërkon që avokatët të jenë të përgatitur përballë amerikanëve me argumente bindëse.