Tiranë, 15 nëntor 2013 – Opozita qartëson qëndrimin, mbështet protestat, por s’merr pjesë. “Panorama” shkruan sot se Basha ka kerkuar mbështetje nga deputetet, por kufizim pjesemarrjeje. 
Partia Demokratike do të mbështesë protestat e nisura nga shoqëria civile, por nuk do të marrë pjesë në to. Vendimi është marrë mbrëmë në mbledhjen e dytë brenda ditës të Grupit Parlamentar demokrat. Burime zyrtare kanë bërë të ditur për gazetën se kreu i PD-së, Lulzim Basha, u ka kërkuar deputetëve që të mbështesin në çdo formë dhe mënyrë protestat e të rinjve, por të kufizojnë në maksimum pjesëmarrjen e tyre në tubimet e ditëve të ardhshme. 

“Ne nuk duam që protestat të politizohen”, mësohet të ketë thënë Basha në mbledhjen më dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar demokrat.

Gjatë një prononcimi për mediat në përfundim të mbledhjes, e cila zgjati rreth 70 minuta, kreu i opozitës i bëri thirrje Kryeministrit Edi Rama t’i japë zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje. 

“I bëj thirrje sot në emër të opozitës t’i japë fund kësaj maskarade. Të dalë para qytetarëve shqiptarë dhe të bëjë transparencën e vërtetë, të deklarohet haptazi dhe prerazi pro interesit publik, kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri. Shqiptarët nuk kanë pse të kalojnë asnjë orë të vetme në ankth dhe aq më shumë një natë të tërë apo net të tëra”, u shpreh Basha. Sipas tij: “Aventurizmi, sensi i papërgjegjshmërisë e ka karakterizuar që nga fillimi këtë çështje dhe duket se e ka detyruar Kryeministrin tonë të zbarkojë në një zigzage gënjeshtrash nga njëra anë ndaj qytetarëve shqiptarë, dhe nga ana tjetër ndaj aleatëve. Dhe duket se edhe në këto momente ka vendosur ta zgjidhë dilemën, të gënjejë aleatët apo të gënjejë qytetarët, jo duke i dhënë fund kësaj, por duke vazhduar t’i gënjejë të dyja palët”. 

Gjatë paradites së djeshme, pak momente përpara se të niste seanca plenare, PD-ja mblodhi sërish Grupin Parlamentar, ku u pozicionua kundër shkatërrimit në Shqipëri të armëve kimike si dhe trajtimin e kësaj çështjeje në Kuvend, si të vetmen pikë të rendit të ditës. “Duke e konsideruar si të papranueshme marrjen dhe asgjësimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri dhe duke ndërmarrë sot iniciativën për referendum popullor – është rasti të theksojmë se vendi ynë, opozita shqiptare, populli shqiptar janë faktorë të përgjegjshëm, seriozë dhe të përkushtuar për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në botë”, deklaroi Basha në pjesën e parë të mbledhjes ku ishin të pranishme mediat. Në takimin e deputetëve demokratë u mor gjithashtu vendimi për të dorëzuar në Kuvend kërkesën për referendum, si dhe mocionin me debat për Kryeministrin Rama.