100 vjetori i Pavarësisë ka sjellë një atmosferë të ngrohtë, të gëzueshme e festive në Durrës, ndërsa bashkia ka nisur përgatitjet për zbukurimin e qytetit me flamuj kombëtarë. Me mijëra flamuj po vendosen në rrugët kryesore, në bulevarde e ballkonet e shtëpive në të gjithë qytetin. Burime nga Bashkia e Durrësit kanë bërë me dije se përgjatë gjithë ditëve në vijim, rrugët e qytetit do të zbukurohen me flamuj, ndërsa një shembull shumë i bukur është bulevardi “Dyrrah”, i cili është zbukuruar anë e kënd me flamujt kuq e zi.

Të njëjtat burime saktësojnë se vendosja e dekorit të festës është bërë falë interesimit dhe përkujdesjes personale të kryebashkiakut Vangjush Dako. Punonjësit e ndërmarrjes së dekorimit të qytetit, prej së premtes e në vazhdim janë të kudo ndodhur në rrugët e Durrësit për vendosjen e banderolave, flamujve kombëtarë e zbukurimeve të tjera, për t’i dhënë qytetit një pamje sa më festive dhe për ta pritur sa më gëzueshëm këtë festë mbarë kombëtare të shqiptarëve. Dekorimet do të jenë të pranishme në Rrugën Tregtare Sheshin Liria, Rrugën A. Goga, në Hyrje të Durrësit etj.

Ndërkaq nismës “Një flamur, një dritare” të kryeministrit Sali Berisha po I përgjigjet dega e PD-së së qytetit. “5 mijë flamurë do të shpërndahen derë më derë”,- tha kreu i PD-së së Durrësit Igli Cara. Ai tha se flamujt janë siguruar nga kuotat e anëtarësisë së PD-së së Durrësit dhe strukturat partiake të kësaj force politike po i shpërndajnë ato tek qytetarët që dëshirojnë të mbajnë në ballkonet e tyre një flamur kombëtar. “Është shumë e rëndësishme që qyteti bregdetar i Durrësit të përcjellë atmosferën e kësaj feste me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë”,- tha Cara.

Megjithëse një pjesë e mirë e ballkoneve kanë nisur të zbukurohen me flamujt kombëtarë qytetarët e Durrësit duken ende disi indiferentë ndaj kësaj nisme. Pak prej tyre kanë zbukuruar ballkonët e tyre me flamurë, megjithëse kjo nismë pritet të përqafohet nga më shumë njerëz përgjatë kësaj jave, kur edhe festa afrohet edhe më shumë.

Më herët Klubi kombëtar i orkestrës frymore, me muzikantë të njohur nga orkestra kombëtare e radios, e ushtrisë dhe teatrit ka nisur të përshkojë rrugëtimin e plakut të mençur Ismail Qemalit, nga Durrësi drejt Vlorës. Projekti “Rrugëtimi i flamurit” ka sjellë performancë artistike në sheshin Liria, i organizuar nga Klubi i Orkestrave Frymore.   

Muzikantët midis tyre edhe mjeshtra të mëdhenj në pension, kanë sfiduar motin e keq duke sjellë për qytetarët këngë patriotike dhe një atmosferë të gëzueshme. Bandës i janë bashkuar Fatmir Foçi, mjeshtër i madh, Prokop Nishku, ish trompist i parë i orkestrës si dhe pedagog i trompës, por edhe muzikantë e studentë.

Ismail Qemali ka mbërritur në Durrës në mëngjesin e datës 21 nëntor 1912 dhe patriotët nacionalistë të qytetit të vogël bregdetar shqiptar kanë bërë të gjitha përpjekjet për t’i siguruar atij prehje të qetë dhe kanë marrë në të njëjtën kohë masa për përcjelljen e tij për në Vlorë nëpërmjet tokës. Grupi i shoqërimit të Ismail Qemalit përbëhej nga 14 persona.