Adrian Gurra, Drejtor i Kulturës, Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, në Bashkinë e Durrësit, ka qenë ndër ata persona që patën mundësinë ta ndjekin live nga Vatikani ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës. Siç shprehet ai vetë “ishte pjesë e një momenti historik kushtuar Shën Terezës”. Por krahas përjetimit të provuar në këtë ceremoni kushtuar shqiptares para së cilës bota përulet, për Gurrën një rëndësi të veçantë mori edhe misioni me të cilin ai ndodhej atë ditë në Vatikan. Në emër të Bashkisë së Durrësit ,Gurra dorëzoi në Selinë e Shenjtë një kompozim të piktorit të talentuar durrsak Elio Bajramaj, ku shfaqen dy Nënë Tereza, njëra vajzë e re e stolisur me kostumet shqiptare dhe tjera Shën Tereza me aureolë siç do ta njohë tashmë gjithë bota. Por pse kjo dhuratë në Selinë e Shenjtë dhe rolin që ka luajtur Durrësi në historinë e gjatë të Krishterimit që në kohët antike Gurra i shpjegon në intervistën ekskluzive për “DurrësLajm”.
Ju si një ndër personat që ka qenë prezent në nderimin që i është bërë figurës së saj në Vatikan, si mund të na i përshkruani këto momente?
Të jesh pjesë e një misteri shenjtërimi, që mund të quhet sakrament i sakramenteve, në mos tjetër, është moment historik. Dhe unë si një moment historik e kam përjetuar. Në ato çaste nuk më kanë shkuar në mendje diskutimet cingune se kujt i takon Shën Tereza jonë, e treta Terezë e shenjtë në historinë e krishterimit: shqiptare, e Kalkutës, e Selisë së Shenjtë, e vllehëve, e Maqedonisë. Ishte një moment kur njeriu pyet veten: me çfarë e bën më të mirë jetën e Njerëzimit Shën Tereza? Përunjësia dhe denjësia janë dukuri më të hershme. Edhe bamirësia e humanizmi po ashtu. Mirëpo Nënë Tereza nuk qe thjesht një predikuese e virtytit: e mëshirës, solidaritetit, njerëzisë. Në mesin e vitit 1990 Ismail Kadare pikërisht për këto dy gjëra "të vogla" foli: për mëshirën dhe ndjesën. Nënë Tereza ishte themeluese urdhëri duke qenë njëherësh më e vogla në hierarki, sherbëtore e mirësisë, jo instruktore e saj. Këtu fillon reflektimi.
E dyta gjë që kam menduar gjatë dhënies së sakramentit të shenjtërimit nga Ati i Shenjtë ishte se Nënë Tereza është rasti i parë në historinë e Krishterimit që bashkon një vlerësim laik me një vlerësim kanonik, çmimin Nobel dhe shenjtërinë. Mendova se besimi dhe dija po afrohen, po njësohen në të njëjtat vlera. Dhe kjo është epokale, siç është epokale që një Papë jep dorëheqjen dhe për herë të parë ka dy Papë të gjallë në të njëjtën kohë.
A është bërë sa duhet për të nderuar Figurën e Nënë Terezës në vendin amë apo më së shumti ajo është vlerësuar nga të huajt?
Unë do t'i rikthehesha përgjigjes së pak mëparshme. Besime kombëtare nuk ka, veç hebraizmit. Shenjtët u takojnë gjithë popujve. Kur njerëzit sulen për të marrë secili pjesën e vet nga një shenjt, atëherë ti je duke kontribuar që t'ia zvogëlosh përmasat. Nënë Tereza është fenomen epokal dhe universal, do të thosha dhe mbifetar. Nënë Tereza është dhe një dëshmi se vetë kanoni kishtar po bëhet më i afërt për njeriun. Kur kishte ndodhur më parë që në Vatikan të mbahej meshë e shenjtë dhe brenda asaj meshe të lexohej dhe Kur'an-i, si këtë vit? E njëjta gjë mund të thuhet për Nënë Terezën: bashkoi popujt e Ballkanit, e ngriti misionin e vet në zemër të hinduizmit, bashkoi kryqin me vendosje majtas me shaminë e kresë të ngjashme me atë të shqiptareve. Mua jo vetëm nuk më vjen keq, por veç gëzohem kur Shën Terezjen, siç e shqiptoi në meshë emrin e saj Papa Francesco, e çmojnë të huajt. Ne na takon të nderojmë origjinën e saj. Jam kundër bujës dhe aksioneve. Nënë Tereza ishte modeli i transnacionalitetit dhe pabujës. "Vendi amë", nuk e di a do të ishte me vend të thuhej kështu. Shqipëria nuk "e nxe" Shën Terezën, Ballkani nuk e nxe, Krishterimi nuk e nxe. Shenjtët e marrin nderimin përgjatë shekujve
Si një ndër ngjarjet e rëndësishme të këtij shekulli dhe duke pasur privilegjin si një ndër personat pjesëmarrës mes mijëra të tjerëve në Vatikan, çfarë do të veçoni nga ato momente?
Do të veçoja një dukuri që nuk është lehtësisht e takueshme në botën e sotme, që në një anë formon njeriun me virtytin si të jetojë dhe në të njëjtën kohë ekziston njeriu tjetër, i "virtytit" që di si të vdesë. Për mua ishte impresionues ekumenizmi i figurës së Nënë Terezës. Dhe kur them këtë nuk e kam fjalën thjesht për praninë e hierarkëve të lartë të katër bashkësive fetare që ka Shqipëria sepse kjo ka ndodhur dhe më parë, për shembull në manifestimin "Je souis Charlie" në Paris. Në meshën e shenjtërimit të Nënë Terezēs kam çuar në mendje se njerëzit e kësaj bote janë si gishtat e njërës dore. Shumë shpejt këta: të bardhë, të zinj, të verdhë, klerikë, laikë, murgesha a ku di unë, do të mësohen ta thërrasin "Shën Tereza", ndërsa ne, ne shqiptarët, nuk do të mësohemi dot t'i themi kështu. Do të na ngatërrohet goja, do t'i themi Shën Nënë Tereza, apo thjesht Nënë Tereza, dhe kjo është lidhja jonë speciale me të.
"Ne s'mund të bëjmë gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla ne dashuri të madhe", si mendoni, çfarë "gjëje të vogël dhe me shumë dashuri mund të bëjmë ne shqiptarët për ta nderuar kontributin dhe figurën e Nënë Terezës?
Këtë thënie të Nënë Terezës unë e kuptoj kështu: bota bëhet më e mirë nëse të gjithë mendojnë për të krijuar gëzim për të tjerët. Nuk duhet shumë për t'u çliruar nga ajo egërsi që prodhon çdo ditë mungesa e asaj "gjëje të vogël" që thotë Nënë Tereza. Nga ajo egërsi që shpërthen nga sytë e inatosur, nga gojët e helmatisura, nga mendjet që funksionojnë sikur të kishin gjëndrën e tëmthit në vend të trurit. Bota duhet t'i falet dashurisë, ka shkruar Nënë Tereza. Dhe, vini re: e doni Shqipërinë duke dashur njëri-tjetrin. Nuk thotë as Krishtin, as profetët. Ky është ai ndryshimi i madh që na bën të dallueshëm nga Nënë Tereza ne vdektarëve kalimtarë, ne shqiptarëve po aq të sertë dhe kryemëvete sa në kohën e Byron-it.
Është folur për një dhuratë simbolike dorëzuar nga ju Selisë së Shenjtë në emër të kryetarit të Bashkisë së Durrësit. Mund të na përmendni diçka më tepër në lidhje me këtë?
Po! Bashkisë së Durrësit i takonte të bënte një dhuratë simbolike, sepse Durrësi e ka njohur krishterimin qysh në kohërat apostolike. Durrësi është një qytet që përmendet me emër në Testamentin e Ri eshte qyteti i shenjtit te parë protoshqiptar Shën Asti i Durrësit, që u martirizua në vitin 118. Meqë jemi këtu, dua të shtoj një fakt që u diskutua gjatë atyre ditëve me miqtë e mi të ardhur nga Dioqeza e Mirditës. Mbase nga padituria, duke mbitheksuar se Nënë Tereza është shenjtorja e parë shqiptare, në fakt dy shenjtorët ilirë, Shën Jeronimin, protektorin e përkthyesve dhe bashkë me të edhe Shën Niketën e Dardanisë, autorin e kryehimnit të krishterimit "Te Deum", dikujt ia kemi falë.
E për t'u kthyer te pyetja, i kemi dhuruar në emër të z. Vangjush Dako, Selisë së Shenjtë një kompozim të piktorit të talentuar durrsak Elio Bajramaj; në të janë dy portrete të Nënë Terezës: në thellësi është Gonxhe Agnes Bojaxhiu fare e re, e stolisur sipas zakoneve shqiptare me flori dhe, në planin e parë, Nënë Tereza me aureolë, me këtë shenjim:
"Selisë së Shenjtë,
me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës.
Vangjush Dako
Kryebashkiak i Durrësit.
4 shtator 2016"
Mesazhi yt, në fund të kësaj interviste lidhur me një figurë kaq të rëndësishme jo vetëm për ne, por për botën mbarë, Nënë Terezën?
Është ftesë mikluese kjo që më kërkoni të bëj përmes pyetjes suaj. Në ndonjë rast tjetër nuk do të mendohesha gjatë për t'u përgjigjur. Por s'është rasti për ta bërë këtë.
Madhështia e figurës së misionares së mëshirës më bën të mos ia lejoj dhe t'i jap vetes të drejtë mesazheri.
Përshkrimin e kësaj ngjarjeje të madhe ashtu siç e përjetova, është e vetmja gjë që mund të bëj për ju dhe lexuesin tuaj. Kumte misionare jepte Nënë Tereza, me mendim e me veprim.





