Një studim i ri britanik është fokusuar te pasojat që u shkakton koronavirusi pacientëve edhe pasi janë shëruar nga kjo sëmundje.

Faktorë të ndryshëm si gjinia femërorë, mosha mesatare, agresiviteti i sëmundjes si edhe prania e një apo më shumë sëmundjeve shoqëruese duhen trajtuar me kujdes të veçantë gjatë fazës së rikuperimit të pacientit nga Covid.

Mjekët e klinikës Terapeutike, Eleni Koromboki dhe Thanos Dimopoulos bëjnë me dije se studimi është përqendruar në Britani.

Pacientët të cilët ishin shëruar janë ndjekur dy deri në shtatë muaj pas daljes së tyre nga spitali, për të parë simptomat, gjendjen fizike si edhe analizat e gjakut.

Në studim u përfshinë 1077 pacientë, mosha mesatare e të cilëve ishte 58 –vjeç dhe 36% e tyre ishin gra.

Gjatë ecurisë së këtij studimi u pa se 27% e pacientëve kishin nevojë për intubacion dhe 50% e tyre kishin të paktën dy sëmundje shoqëruese.

Ndërsa nga 830 pjesëmarrës, vetëm 29% ishin shëruar plotësisht, ndërsa 20% kishin përjetuar një formë të paaftësisë, shkruajnë mediat e huaja.

Ndërkohë nga 641 pacientë, 19% e tyre janë detyruar të ndryshojnë profesionin për shkak të problemeve shëndetësore mendore si edhe fizike me të cilat u përballën edhe pasi e kishin kaluar Covid.