“Stuhi” e paprecedentë ishte ajo e regjistruar në momentet finale të derbit të Londrës, midis Tottenham dhe Chelsea, me dy trajnerët që u bënë protagonistë të një përballje titanësh.

Teksa sfida përfundoi në paqe me rezultatin 2-2, pavarësisht dominimit të Chelsea në pjesën më të madhe, situata u tensionuan veçanërisht në stol, ku Tomas Tuchel dhe Antonio Conte patën grindje të vazhdueshme.

Trajneri italian dhe ai gjerman u përplasën në të paktën disa rrethana, të gjitha të regjistruara kur gola shënoheshin në portat respektive.

Kur bilbili i fundit ra, beteja shpërtheu për shkak të një shtrëngimi duarsh të zgjatur nga Tuchel, i cili e mbajti kolegun pranë tij për t’u përballur sërish me të, me një fytyrë shumë agresive.

Conte nuk e la veten të frikësohej dhe ai u përgjigj me kokëfortësi duke shkaktuar një përleshje në mes të fushës që gati degjeneroi në grushte midis dy teknikëve të klasit botëror.

U desh të ndërhynin disa anëtarë të stafit të sigurisë në terren për të ndalur kontaktin e mëtejshëm fizik midis tyre dhe pas disa minutash situata u rikthye nën kontroll.