Prej më shumë se dy dekadash, FIFA publikon video-lojën e saj zyrtare të futbollit, me të dhëna nga futbollistë realë. Fillimisht ajo u krijua në vitin 1994, por më pas u njoh si loja zyrtare në vitin 1996, me legjendaren “FIFA 96”. Pikërisht në këtë lojë të parë ishte i pranishëm një futbollist i cili vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite në aktivitet dhe padyshim që do të jetë protagonist edhe në kapitullin e ri, “FIFA 17”. Bëhet fjalë për futbollistin italian të Romës, Françesko Toti. Tërheqja e portierit brazilian Roxherio Ceni në dhjetor, lë Totin si futbollistin e vetëm që është shfaqur në çdo edicion të video-lojës së famshme kompjuterike.

Ndonëse ai filloi karrierën e tij në vitin 1992, kompania “EA Sports” që prodhon këtë video-lojë, e përfshiu vetëm në vitin 1996, ku u hodhën edhe të dhënat e lojtarëve të sezonit 1994-1995. Ironikisht, në vitet më të mira të karrierës së tij si futbollist, Toti përfundoi duke qenë imazhi përfaqësueses i “Pro Evolution Soccer”, lojës rivale me atë të autorizuar nga FIFA.