Sebastian Vettel triumfoi mes drithërimash në Cmimin e Madh të Hungarisë në Formula 1. Piloti gjerman i i “Kokëkuqes” sigloi një kryevepër falë mbështetjes që i dha shoku i skuadrës Kimi Raikkonen, i cili e mbrojti me shumë kujdes deri në xhiron e fundit duke i dhuruar një triumf të dyfishtë skuadrës italiane. Dy pilotët e Mercedesit Valtey Bottas dhe Lewis Hamilton mbërritën në finish pas Kraikkonen, duke zënë vendet tre dhe katër.

Nëse dikush kishte dyshime për rolin e Raikkonen te Ferrari, përgjigjja erdhi në Hungaroring. Për 70 xhiro finlandezi, pavarësisht problemeve që pati me njëvendëshen e tij, garoi për të mbrojtur pozicionin e Vettel, duke i dhuruar gjermanit një muaj pushim si lider me 14 pikë më shumë se rivali britanik. Edhe pse Hamilton tentoi t’i sulmonte dy pilotët e Ferrarit, në fund nuk u ngjit as në podium, pasi i hapi rrugën shokut të tij të skuadrës.

Pas Hamilton, në vendin e pestë u rendit Max Verstapen me Red Bullin e tij. Një e diel për t’u mbajtur mend për Fernando Alonson, që regjistroi rezultatin më të mirë sezonal me vendin e gjashtë. I shtati e kaloi vijën e finishit bashkombasi i tij, Carlos Sainz me Toro Rosson, në vendin e tetë u rendit Perez me Forcë Indian, ndërsa 10-shen më të mirë e mbyllin Ocon e Vandoorne.

Kryeson në renditjen e përgithshme Vettel me 202 pikë, ndjek Hamilton me 188, ndërsa i treti vjen Valteri Botas me 169 pikë.