3526 qytetarë kanë aplikuar deri më tani në thirrjen e dytë për vendosjen e paneleve diellore për ngrohjen e ujit, të cilat subvencionohen në masën 70% nga buxheti i Agjencisë për Eficiencën e Energjisë (AEE).

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur se deri tani janë aprovuar 900 prej këtyre aplikimeve.

“Grupet e ekspertëve po shqyrtojnë çdo aplikim, dhe deri më tani janë aprovuar 900 prej tyre të ardhura nga çdo cep i vendit”, deklaroi ajo.

Sipas Ballukut, aplikimet vazhdojnë ende.

Aplikimet u hapën më 24 shkurt dhe nga kjo thirrje do të përfitojnë 2 mijë familje.

Vendosja e paneleve diellore për ngrohjen e ujit ndikon drejtpërdrejt në reduktimin e faturës së energjisë elektrike për familjet 20-30%.

Fituesit e thirrjes së parë nuk mund të aplikojnë përsëri për të njëjtën banesë/kontratë energjie.

Diversifikimi i burimeve të rinovueshme është strategji kombëtare të cilën Qeveria Shqiptare po e ndjek prej vitit 2019.