Një incident i pazakontë ka ndodhur në Indonezi, ku një 61-vjeçar përfundoi duke rënë me makinë nga një urë e papërfunduar, pasi ndoqi verbërisht udhëzimet e Google Maps.
Ngjarja ndodhi teksa burri po udhëtonte me një automjet luksoz të markës BMW. GPS-i në telefonin e tij e udhëzoi të largohej nga rruga kryesore dhe ta drejtonte makinën drejt një rruge të papërfunduar pranë një mbikalimi në ndërtim.
Në vend që të merrte rrugën e bypass-it, ai kaloi me makinën mbi një hendek dhe një pengesë betoni, duke përfunduar më pas në rrugë pasi u hodh nga mbikalimi. Pamjet filmike tregojnë momentin dramatik kur makina bie nga lartësia.
61-vjeçari e justifikoi veprimin e tij duke thënë se po ndiqte vetëm udhëzimet që i shfaqte Google Maps.
Fatmirësisht, ai dhe pasagjeri i tij 47-vjeçar pësuan vetëm lëndime të lehta. Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje për t’u dhënë ndihmën e parë.