Të filmoje rreth “Vila Biljana”, rezidenca verore e ish-presidentit komunist të federatës asokohe jugosllave, Josip Broz Titos ishte e vështirë për rreth 200 gazetarë të pranishëm në Ohër. Policia maqedonase kishte marrë masa të rrepta që Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç të ndiheshin në komfortin e duhur në bisedime dhe të qartë se prej tyre pritet kompromis. Kjo vilë qeveritare gjendet në një kodër rreth një pylli 6 kilometra larg qytetit të Ohrit.

Në këto ambiente, më 13 gusht të vitit 2001, u nënshkrua marrëveshja kornizë që i dha fund konfliktit të armatosur mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe që shihet si garantuesja e bashkëjetesës ndëretnike dhe bashkëqeverisjes.

Më atë marrëveshje për shqiptarët e Maqedonisë u dhanë më shumë të drejta. Shqipja u bë gjuhë zyrtare në zonat ku popullsia shqiptare është 20% dhe u zgjerua prania e shqiptarëve në forcën policore. Për të arritur tek nënshkrimi i kësaj marrëveshje, u desh një rrugë e gjatë dhe e mundimshme. Ishte lufta e UÇK shqiptare e udhëhequr nga Ali Ahmeti që influencoi në bisedime.

Marrëveshja e Ohrit u arrit pas dhjetë ditësh negociatash intensive, mes forcave kryesore politike dhe me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar ku rol vendimtar kanë pasur SHBA-ja dhe BE-ja.

Presidenti serb Vuçiç para takimit hodhi sytë drejt liqenit e maleve përballë që i përkasin Shqipërisë. Të dy palët zhvillojnë bisedimet nën presion. As Kurti e as Vuçiç nuk kanë marrë pëlqimin e opozitave në vendet e tyre madje në Beograd u zhvilluan sërish protesta një natë para takimit të Ohrit. Në orët para takimit Vuçiç mori vesh edhe urdhrin e arrestit për homologun rus Putin dhe u tha serbëve se duhet gjetur një zgjidhje për të bashkëjetuar me shqiptarët.

Maqedonia e Veriut u vetëofrua për të siguruar mbarëvajtjen e këtij takimi që për herë të parë u zhvillua në një shtet të rajonit tonë ku krahas marrëveshjeve mes shqiptarëve dhe maqedonasve u realizua edhe ajo me Greqinë që u dha fund mosmarrëveshjen për emrin e shtetit fqinj.

Klan News