Lorenco Vila është lojtar i Dinamos për 3 vitet e ardhshme. Klubi blu ka bërë një goditje të rëndësishme në kuadrin e përforcimeve, që do ta bëjnë skuadrën e trajnerit Di Biaxhot kandidate të denjë për të shkuar në Europë. Sulmuesi 24-vjeçar ka lënë Teutën, ku fitoi titullin kampion, pas 7 sezonesh, për të veshur një tjetër fanellë blu, atë të Dinamos. Palët kanë rënë dakord për një kontratë 3-vjeçare, ndërkohë Teuta ka mbajtur 25% të kartonit të lojtarit. Kjo do të thotë se, nëse Vila do të shitet në të ardhmen nga Dinamo, atëherë do të përfitojë financiarisht edhe klubi durrsak.

Presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, ka pohuar se afrimi i Vilës është mbyllur tashmë. Ai është treguar i rezervuar kur është pyetur për shumën e blerjes së lojtarit nga Teuta, duke thënë se kjo çështje nuk ka rëndësi. Nga burime të tjera mësohet se Dinamo ka paguar rreth 50 mijë euro te Teuta. Kalimi i këtij lojtari te Dinamo konsiderohet një nga lëvizjet më të rëndësishme të merkatos në Superiore, pasi Lorenco Vila është një nga elementët më premtues të kampionatit shqiptar, që është grumbulluar edhe nga Kombëtarja. Ai ka treguar rritje të vazhdueshme të nivelit të lojës dhe nëse vazhdon me këtë ritëm, me siguri shumë shpejt do të shitet në një kampionat të huaj.