Një sërë këshillash kanë dhënë mjekët për përballimin e virozave të stinës një pjesë e të cilave janë shumë shqetësuese duke vënë në dyshim edhe jetën e pacientëve. Ndryshimet e temperaturës së mjedisit në stinën e vjeshtës janë shoqëruar me jo pak komplikacione shëndetësore, të cilat kanë lënë të kuptohet se kjo stinë paraqet jo pak probleme.
Diarea, të vjellat, temperatura e lartë, acarimi i rrugëve aspiratore, krizat astmatike apo pickimet janë rastet më të shpeshta të paraqitjes së pacientëve pranë urgjencës së spitalit të Durrësit apo edhe të konsultave të kërkuara nga qytetarë në qendra shëndetësore dhe në poliklinikë. Edhe pse sezoni i verës ka kaluar dhe së bashku me të edhe muajt me temperaturë të lartë, sërish në urgjencën për të rritur dhe për fëmijë në spitalin e Durrësit, paraqiten raste të shumta të qytetarëve që kërkojnë ndërhyrje emergjente për shkak të virozave të stinës.
Tek salla e pranimit të urgjencave për të rritur çdo ditë paraqiten mesatarisht 160 urgjenca dhe po aq të tjera tek pediatria, ndërsa ambulancat e lagjeve janë të mbushura plot e përplot gjatë gjithë ditës. Mjekët nuk e klasifikojnë si situatë alarmante, por nga ana tjetër thonë se kemi të bëjmë me viroza tipike stinore.
Këshilla kryesore që ata ofrojnë është ndërgjegjësimi i qytetarëve për të hequr dorë nga tendenca për të marrë medikamente mjekësore pa këshillën e mjekut, kujdesi për t’u ruajtur nga luhatjet e temperaturave dhe shmangia pa kushte ndaj çdo gjëje që nuk afron higjenë. Alergjitë, pickimet, puçrrimet, çrregullimet elektrolitike së bashku me spoliatrozat manifestohen më së shumti aktualisht dhe këto përbëjnë edhe numrin më të madh të vizitave e ndërhyrjeve.
Stina dhe virozat
Vjeshta e këtij viti ashtu si dhe vitin e kaluar ka hyrë me temperatura të larta që kanë vijuar thuajse të njëjta me ato të muajit shtator. Kjo ka bërë që njerëzit të kenë jo pak ankesa shëndetësore, të cilat kanë pasur të bëjnë më së shumti me helmimet, alergjitë dhe dhembjet e shumta e të shpeshta të muskujve e të kockave.
Mjeku Ferid Domi, i specializuar për urgjencat, ka renditur një sërë faktorësh si dhe komplikacionesh të shkaktuara nga viroza e stinës. Ai ka pohuar se luhatjet e temperaturave, mëngjesi i freskët e i ftohtë, me një ditë me temperatura relaitivisht të larta dhe darka e ftohtë kanë shfaqur masivisht komplikacine tek shumë pacientë.
“Edhe pse e menduam se verën e lamë pas vëmë re se shtatori dhe dhjetëditëshi i parë i tetorit vijon të ketë të njëjtin fluks të vizitave si në stinën me temperatura të larta”,- ka bërë të qartë dr. Domi. Specialisti i urgjencës pohon se mesatarisht trajtohen 160 urgjenca në ditë aq sa në muajin korrik e gusht duke e renditur këtë periudhë me të njëjtën ngarkesë si në verë. Mësohet se pacientët janë paraqitur me diare të thellë e të vazhdueshme, heqje barku, temperaturë të lartë, dhembje fyti, acarim të rrugëve të frymëmarrjes, kriza astmatike dhe shumë raste alergjie.
Një pjesë e tyre lidhen me luhatjet e temperaturave brenda 24 orëve, të tjerat me konsumin e ushqimeve të pakontrolluara apo dhe me përdorimin e rrobave dhe veshjeve të tjera të palara.
Alergjitë
“Alergjitë janë thuajse të përditshme si dhe pickimet”,- tregon mjeku specialist. Çdo ditë paraqiten 15-17 raste me alergji të shkaktuara nga ndryshimet e motit, pluhurat, poleni, stina etj. Këto lloj alergjish kanë manifestuar puçrrime, të kruar të trupit, edemë të buzëve, edemë të laringut, vështirësi të frymëmarrjes e të tjera të ngjashme me to.
Pacientët ankohen pambarimisht për kruarje të trupit gjithandej. Mjekët konfirmojnë se njerëzit në këtë periudhë stinore ndihen të bezdisur tej mase teksa kruhen në kokë, qafë, fytyrë, krahëror, shpatulla, krahë e këmbë. Gjatë muajit shtator dhe në javën e parë të tetorit shqetësim jo i vogël kanë qenë për bluzat e bardha shtimi i rasteve të pickimeve nga insektet.
Një pjesë e pacientëve janë paraqitur në kufijtë fatal të jetës sidomos nga pickimet e grerëzave. Personat alergjikë me urgjencë madhore paraqiten në gjendje shoku anafilaktik dhe në 3-4 raste mjekët kanë mundur t’i mbajnë në jetë me shumë mund duke i ringjallur në urgjencë pacientët. Pickimet e këtij lloji janë paraqitur me reaksione të fuqishme, rënie tensioni të shpejtë e të menjëhershëm. Nuk janë vetëm grerëzat, por ka edhe të tjerë insekte që sjellin pasoja të rënda ashtu si dhe pickimet nga merimanga.
“Në rastet kur qytetari vëren se është pickuar nga grerëza apo merimanga duhet sa më parë të kërkojë ndihmë mjeksore”,- thotë dr. Ferit Domi, në të kundërt pasojat mund të jenë tragjike. Stina me virozat e saj ka jo pak ndikim në regjimin e moshës së tretë, të cilët e pësojnë më shpejt gjendjen toksike nga dehidrimi, diarenë me çrregullime ritmike, çrregullime elektrolitike me mungesë të kaliumit, magnezit dhe të tjera simptoma.
Spoliatroza që vihen re dhe shfaqet me dhimbje të të gjithë trupin është një problem tjetër që renditet si madhor për mjekët, pasi nuk shërohet dhe kurimi është i gjatë. Kjo sëmundje është degjenerative dhe prek moshën e mesme dhe të tretë, e shoqërohet me dhimbje tepër të forta. Mjeku Domi thotë se kjo kategori pacientësh arrin deri në të qara nga dhimbjet invaliduese dhe se në raste të tilla bluzat e bardha synojnë të qetësojnë të sëmurin dhe të parandalojnë avancimin duke e trajtuar me analgjezikë.
Mos përdorimi i ilaçeve pa rekomandim
Dr. Domi këshillon se me një diagnozë të tillë nuk ka asnjë shpresë tek vetkurimi, pasi përdorimi i ilaçeve jashtë një konsulte me specialistin, jo vetëm që e ndërlikon sëmundjen, por ka shumë gjasa që medikamentet pa kriter dhe pa rekomandim të shkaktojnë tension të lartë, dëmtim të rëndë të mëlçisë dhe hemoragji stomaku.
Fluksin e predominojnë rastet me temperaturë të lartë e diare dhe shkaku janë luhatjet e temperaturave të mjedisit. Viruset dhe infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes si dhe infeksionet e aparatit tretës në shumicën e rasteve lihen pas dore nga të infektuarit, ndonëse kjo periudhë njihet për virozat e kohës. “Kemi jo pak shembuj teksa pacienti ka bërë 3-4 herë diare të ujshme në kushte shtëpie, dehidrim, të vjella pa ndalim, tharje të mukozave, etje e madhe për ujë e temperaturë mbi 39 e 40 gradë”,- ka bërë të ditur Domi.
Ai është pjesëmarrës në tre kongrese për emergjencat spitalore. Një arsye më shumë në shtimin e rasteve të pacientëve dhe 2 e 3-fishimin e tyre është konsumi i ushqimeve me ngarkesa të larta mikrobiale nga tregtimi jo si duhet. “Rrallë ndodh që helmimi të shkaktohet nga ushqime të përgatitura në familje, kurse ato të konsumuara në lokale e restorante janë të shpeshta”,- sqaron dr. Domi.
Më tej specialisti ka bërë të qartë se helmimet më tepër vijnë nga lokalet e baret që gatuajnë prodhime deti ngase kanë toksina të fuqishme. Ky ka qenë fenomen shumë i njohur në periudhën e verës dhe vijon të jetë me jo pak urgjenca. Mjeku i urgjencës i specializuar për të përballuar emergjenca të tilla këshillon që njerëzit të tregojnë shumë kujdes në konsumimin e ushqimeve në restorante.
“Më së miri është të ushqehemi me ushqime të porositura e të gatuar enkas dhe të qëndrojmë sa më larg rasteve të konsumimit të ushqimeve që gatuhen në mensa kolektive”,- thotë dr. Domi.
Këshillat
Stina e vjeshtës së këtij viti ka karakteristikat e saj deri edhe specifike që lidhen me luhatjet e temperaturës gjatë 24 orëve apo edhe me ditët e nxehta. Në të tilla kushte mjeku Domi këshillon qytetarët të tregojnë kujdes për t’iu përshtatur sa më mirë luhatjeve. “Ndryshimi i temperaturave ndikon në të gjitha drejtimet, në treguesit e organizmit dhe ato emocional”,- shpehet ai.
Specialistët janë të mendimit se moti ndikon drejtpërdrejtë në humorin, por edhe në shumë sjellje emocionale me prapavijë ngacmime nervore të llojeve të ndryshme. “Ndodh që në një ditë me vranësirë të paraqiten në urgjencë persona që ankohen se u ther në anë të majtë duke treguar ankesat për zemrën, por përgjithësisht kemi të bëjmë vetëm me një merak dhe ngacmim nervor”,- tregon specialisti.
Ajo që këshillohet në ditë të tilla është qetësimi i vetvetes dhe konsulta me mjekun pa i dhënë të drejtë vetes në përcaktimin e sëmundjes së sajuar. Por në ditë të tilla si në shtator dhe dhjetëditëshin e parë të tetorit mjekët kërkojnë më shumë kujdes në të veshur. Kjo do të thotë që qytetarët të vishen me pulovër në mëngjes e në mbrëmje dhe me bluzë e këmishë me apo pa mëngë në orët e ditës.
Një mënyrë e tillë veshje shmang djersitjen e cila bëhet burim i prekjes nga ndonjë bronshit pulmonar apo edhe shpërthime emocionale me fajësime të shumta e të ndryshme.
“Luhatjet e temperaturave janë paralajmërim për pacientët e kartelizuar me probleme astmatike apo kardiake si dhe të asaj kategorie që ankohet për spoliatrozë”,- shpjegon dr. Domi. Këshilla e vetme është qetësimi emocional dhe më pas receta mjekësore. Të gjitha këto kanë ndikim në shëndet, ndërkohë që një kontroll i vetvetes në fazën e shfaqjes së ankesës është kurim më vete sipas specialistëve.