E shtuna ishte një ditë plot me zhvillime, sa i takon politikës, për qytetin e Durrësit.

Qyteti bregdetar është një nga gjashtë bashkitë, ku Lulzim Basha do të testohet në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit. Para këtij testimi, kreu i PD-së vendosi që të “testojë” mbështetjen që gëzon mes demokratëve të qytetit.

Kryedemokrati, që më herët në fakt, ka vendosur që të zbresë në bazë pas kërkesave të shumta nga mbështetësit e tij, si rezultat i krizës brenda partisë.

Por në çdo qytet që ka zhvilluar takime tashmë, ai është pritur me protesta nga mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe e njejta gjë ndodhi dhe në Durrës.

Një grup protestuesish demokratë, e pritën me pankarta në duar Bashën, për të cilin thanë se nuk ka më legjitimitet për t’i drejtuar, aq më tepër pas ngjarjeve në protestën e 8 janarit.

I gjithë sheshi “Liria”, sheshi përballë Qendrës Kulturore, në ambientet e të cilit do të zhvillohej takimi, ishte i rrethuar nga forca të shumta policie.

Protestuesit brohorisnin “Basha ik” e “Turp”, ndërsa në duar mbanin parulla si “Lulzim Brava je i shkarkuar nga 44 mijë anëtarë të PD ” apo “Lulzim Brava peng i qeverisë”.

Me “hidh e prit”, mbështetësit e secilës palë nuk kursyen as fyerjet drejtuar njëri-tjetrit, ndërsa kordoni me blutë e Durrësit i mbajti protestuesit larg takimit dhe shmangu gjithashtu incidentet dhe përplasjet.

Protesta, që përfundoi kur kryedemokrati hyri brenda Qendrës Kulturore, u mbyll pa shkaktuar asnjë trazirë, ndërsa pak para përfundimit, ish-kandidati për deputet, Erzen Laçi bëri një prononcim për mediat.

Erzen Laçi, pyetjes së “DurrësLajm” se a e dobëson dalja në zgjedhje PD-në me dy kandidatë, u shpreh se kandidati i Komisionit të Rithemelimit do ta fitojë bashkinë Durrës, por nëse humbin, faji, sipas tij, “do të jetë i Lulzim Bravës”.

Erzeni theksoi se shumë pak nga njerëzit që janë sot në takimin me Bashën “nuk janë nga Durrësi”.

“Kanë ardhur nga Kamza dhe rrethe të tjera, do t’i nxjerr të gjitha me foto dhe video”, tha ai.

Ndërkohë pas ish-kandidatit për deputet, e mori fjalën kreu i FRPD Durrës, Artion Barjamaj i cili e vuri theksin në situatën e protestës së 8 janarit, kur ndaj demokratëve që tentonin të hynin në selinë e PD-së u përdor gazlotsjellës dhe shkopinj. (Kliko këtu për intervistat e plota)

Basha nga ana tjetër vijonte i patrazuar takimin e tij, por nuk e kurseu një përgjigje për ata, që e akuzonin si një njeri të shitur tek Rama.

Atë grup, ai e ka cilësuar një pakicë që mbështet hallin personal të Sali Berishës, i shpallur “Non Grata” nga SHBA-ja.

Të gjithë bashkë kemi ardhur për partinë Demokratike në një moment të veçantë kur një pakicë e vogël, çdo ditë e më e vogël mblidhet për shkak të të kundërtave. Për të shpifur, për të gënjyer. Për të linçuar demokratët e shumicës.

Intelektualë të Durrësit që për dy ose tre dekada që PD nuk u kujtua për të rinjtë vetëm se mendojnë ndryshe nga hijet e të shkuarës. Për t’iu vërsulur nënave me fëmijë. 

Janë një pakicë sepse nuk i bashkon asnjë ideal dhe asnjë kauzë por halli personal i një njeriu të vetëm.

Shpallja non grata ishte një shok për ne në fillim por tani që e shohim si sillet me demokratët dhe si ka kaluar vijën e kuqe duke u përpjekur të çojë demokratët deri në vëllavrasje. Ajo që ndodhi është një vijë e kuqe”, tha Basha ndër të tjera.

Kreu i PD-së foli edhe për projektin e transformimit të portit më të madh në vend, për të cilin tha se “është një tjetër provë korrupsioni“.

Ai paralajmëroi se do të ndërmarrë hapat ligjorë, në mënyrë që qeveria të mos tjetërsojë pronat e durrsakëve për të zhvilluar këtë projekt korruptiv.

“Pse është çështja e Portit të Durrësit kaq e prekshme? E para punës se është një tjetër provë korrupsioni. Nëse ti ke qëllim të ndërtosh të hapësh vende pune dhe të pasurosh këtë qendër nuk i bën punët natën, nuk i kalon ligjet në mesnatë pa konsultim, nuk sjell këtu një sheikë, por del para durrsakëve e shpalos planin.

Kjo është arsyeja pse PD dhe unë si kryetar kemi qenë kundër projektit të Portit të Durrësit  dhe do të hedhim të gjithë hapat ligjorë kushtetues, politikë që i ashtuquajturi projekt i Portit të Durrësit që që aktualisht është një projekt fantazmë i Edi Ramës me një grusht oligarkësh të mos të bëjë asnjë milimetër përpara. Jo se jemi kundër zhvillimit nuk bëhet pas kulisave, dhe në kurriz të pronave, të tokave, mbi padrejtësitë.

Le ta dëgjojë edhe njëherë nga Durrësi  Rama dhe shokët e tij të babëzitur  që do na kenë përballë me të gjithë qytetarët për këtë projekt mafioz dhe nuk do ta lejojmë tjetërsimin e pronës që u takon durrsakëve dhe nuk do të lejojmë që oligarkët që shkojnë e vijnë mes Trekëndëshit të Bermudës të vazhdojnë të ushqejnë Foltoren e Ramën ditë e natë.

Beteja jonë ka qëllim që t’ua kthejë Shqipërinë shqiptarëve”, tha Basha.

Në përfundim të takimit me demokratët e Durrësit, lideri i Partisë Demokratike foli për “DurrësLajm” për kandidaturën me të cilën selia blu do të prezantohet në qytetin bregdetar, në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

Basha falenderoi demokratët e Durrësit për takimin entuziast që i rezervuan pasditen e sotme, ndërsa duke u ndalur tek kandidatura u shpreh:

“Askush s’ka ardhur për veten e tij, të gjithë kemi ardhur së pari për Durrësin, për Shqipërinë dhe natyrisht për shpresën e Durrësit dhe Shqipërisë që është PD.

Ju siguroj që PD, dega e Durrësit, në mënyrën më gjithëpërfshirëse dhe transparente, do t’i ofrojë Durrësit personin më të denjë që edhe pse ky është një proces zgjedhjesh të pjesshme lokale të përfaqësojë kontrastin e madh që sot ndodhet kudo në Shqipëri, midis një pakice absolute që Durrësin, pronat e qytetit dhe portin e shohin si pla­­çkën e tyre personale dhe durrsakët si skllevërit e tyre dhe PD-së e përfaqësuesve tanë që mezi presin momentin që bashkë me shqiptarët, t’i kthejnë dinjitetin e nëpërkëmbur dhe të drejtat e mohuara të durrsakëve dhe gjithë shqiptarëve”.

Ndonëse nuk ka asgjë zyrtare, nga sa është arritur të mësohet nëpërmjet burimeve, Lulzim Basha do të hyjë në garë me Luan Hotin, aktualisht kryetar i PD dega Durrës.

Nga ana tjetër, Berisha do të ketë kandidat për Kryetar Bashkie në Durrës Ardian Mukën.

Përballë tyre, do të jetë Kryetarja e Komanduar e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako nga PS, kandidaturë kjo e konfirmuar.

K.Gj