Sipërmarrësja dhe influencuesja Chiara Ferragni ka prekjen magjike për gjithçka bën dhe frytet janë perandoritë e saj gjithnjë e në rritje financiare.

Shembulli i fundit erdhi kur Safilo Group njoftoi një marrëveshje shumëvjeçare për prodhimin e koleksionit të parë të syzeve të markës Chiara Ferragni, aksionet e grupit u rritën në Piazza Affari, duke fituar 13% të vlerës.

E njëjta gjë ndodhi edhe në prillin e kaluar me Tod’s, kur ndikuesja u bashkua me bordin e drejtorëve dhe aksionet e kompanisë luksoze Marche të udhëhequr nga Diego Della Valle regjistruan një rritje prej 14%, ose ndryshe një rritje prej 132 milionë eurosh.

34-vjeçarja ka arritur të krijojë një markë dhe të ndërtojë një besueshmëri ndër vite që shkon përtej marketingut dhe tendencave kalimtare. Dhe tani ajo ka një perandori të vogël financiare që vlen aktualisht rreth 40 milionë euro. Një shifër e madhe, duke pasur parasysh se Forbes, vetëm 4 vjet më parë, e vlerësoi pasurinë e influencueses 9 milionë dollarë.

Burimi më i dukshëm i të ardhurave për Chiara Ferragni-n janë mediat sociale. Falë 24.8 milionë ndjekësve në Instagram dhe 4.5 milionë fansave në TikTok, ajo kërkon nga 60 deri në 85 mijë dollarë për secilin postim të sponsorizuar, sipas DeRev dhe HopperHQ.

Por përveç biznesit që lidhet me mediat sociale, ajo fiton edhe prej tre kompanive që në vitin 2020 arritën të ardhura gati 20 milionë euro. E para sipas renditjes së fitimeve është Tbs Crew, që menaxhon blogun dhe markën The Blond Salad, te të cilat Chiara ka shumicën e aksioneve.

E dyta është Sisterhood, një kompani që merret me konsulencë për marketing, evente dhe menaxhim të të drejtave të imazhit të talenteve. Dhe e treta është Fenice, e cila ka markën Chiara Ferragni Collection në portofolin e saj.