Të mërkurën një zëdhënës i Këshillit të Evropës i tha Zërit të Amerikës se çështja e Kosovës nuk është në agjendën e takimit të ministrave të Këshillit të Evropës, që mbahet javën e ardhshme.

Çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe duket se u bë “thembra e Akilit” në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim e cila muajin e kaluar mori dritën jeshile nga Asmableja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Disa nga vendet perëndimore, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e shndërruan në kusht për votën e tyre hedhjen e hapave konkretë nga Kosova për themelimin e Asociacionit, në bazë të një projektstatuti të hartuar nga diplomatë perëndimorë që iu dorëzua palëve në tetor të vitit të kaluar. Por, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e cilësoi “absurd” dhe të papranueshëm një kushtëzim të tillë.

Analistët me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës thonë se vendosja e kushteve të tilla jo formale në procese integruese është një praktikë që shtetet anëtare të bllokut e përdorin për t’u bërë trysni palëve që të përmbushin detyrimet e tyre.

“Edhe pse nuk është në asnjë mënyrë një kusht formal për integrimin e Kosovës në Këshill të Evropës sepse Kosova në prill është konstatuar se ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim, megjithatë duket se Asociacioni po përdoret si mjet që i ushtron trysni shtetit të Kosovës për të dhënë një zgjidhje lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin edhe qeveria e Kosovës ka dhënë një premtim se do të punojë në drejtim të themelimit të tij. Pra nëse statuti aktual nuk është i duhuri dhe nuk përputhet me kriteret e Gjykatës Kushtetuese, atëherë qeveria duhet të tregojë një maturi politike për të ofruar një zgjidhje për të dalë nga situata ku gjendemi sepse anëtarësimi në Këshill të Evropës është shumë i rëndësishëm”, tha Njomza Arifi nga Grupi për Studime Juridike e Politike.

“Aty është çështje politike dhe normalisht ka edhe kërkesa politike, që nuk do të duhej të ishin por për fat të keq janë aty, siç kanë theksuar për shembull Franca dhe Gjermania që duhet të ecim një hap tutje me çështjen e Asociacionit, këtu është gjithë problematika e shtetit të Kosovës mendoj për të ecur tutje jo vetëm për anëtarësim në Këshillin e Evropës por në tërësi drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në NATO. Këto janë institucione në të cilat është në dorën e perëndimit që ne të përparojmë, por perëndimi po kërkon një lloj baraspeshe mes kërkesave të Kosovës, Serbisë dhe pakicës serbe në Kosovë”, thotë profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi.