Në mesjavën e kaluar, dy ekipe të volejbollit malazez për femra dhe meshkuj zhvilluan disa ndeshje përgatitore me Teutën. Të dy këto ekipe i takojnë klubin të njohur malazez Buduçnost. Të martën, me 9 tetor të parat që dolën në parket ishin ekipet e femrave. Teuta e drejtuar nga tekniku Jazexhiu luajti mjaft mirë, duke befasuar mikeshat, të cilat menduan për një fitore të lehtë dhe pa kushte. Por nuk ndodhi kështu.

Volejbollistet durrsake jo vetëm fituan, por nuk humbën asnjë set. Fitorja 3-0 i alarmoi mikeshat, të cilat të nesërmen zhvilluan një takim cilësor dhe rezultativ. Fitorja e tyre 3-0, ishte e merituar. Kështu u ndanë në “paqe” dy takimet e femrave. E kundërta ndodhi me meshkujt, ku ekipi malazez ishte tejet i përgatitur.

Të përfshirë në një raund ndeshjesh ndërkombëtare, në kuadrin e ligës europiane të volejbollit Buduçnost nuk mund të toleronte në dy takimet me Teutën për arsyen e thjeshtë të rritjes së forcës konkuruese. Në ndeshjen e parë të së mërkurës, Buduçnost fiton 3-0 duke pasqyruar rritje të madhe të volejbollit malazez. Në takimin e dytë që u organizua me 11 tetor, Teuta paraqitet më ndryshe.

Këtë herë ajo rroku edhe angazhimin e volejbollistit më të mirë të saj, malazezin Vuk Medenica. Miqtë fitojnë dy setet e para dhe vendasit arrijnë t’i mundin në të tretin. Ndonëse edhe seti i katërt shprehu rivalitet, Buduçnost nuk fal dhe fiton 3-1. Të katër takimet miqësore me ekipin malazez të Buduçnostit, i shërbyen përvojës dhe aftësimit më të madh të skuadrave të Teutës për një angazhim efikas në kampionatet kombëtare të sportit të rrjetës.