Gjigandi gjerman i prodhimit të automobilëve Volkswagen nuk ka ndërmend të ndërpresë shitjen e autoveturave me motor me naftë në tregun amerikan, pavarësisht se u padit nga Departamenti i Drejtësisë për shumën e 48 miliardë dollarëve. Herbert Diess, kryetari i Bordit Drejtues të Volkswagen, teksa ka prezantuar në Las Vegas të Shteteve të Bashkuara modelin më të ri të një prej autoveturave elektrike, tha se “mbetem optimist që mosmarrëveshja do të zgjidhet.”

Autoritetet amerikane zbuluan se Volkswagen kishte mashtruar sa i përket nivelit të ndotjes, duke manipuluar paketën elektronike të afro 9 miljon autoveturave të pajisura me motor me naftë. Afro 500 mijë prej atyre autoveturave ishin shitur në tregun amerikan, duke sjellë edhe padinë prej 48 miliardë dollarë. Por, Diess ka theksuar se problemi do të zgjidhet dhe se autoveturat me motor me naftë nuk do të tërhiqen nga tregu. Javën e ardhshme ne Uashington pritet të mbërrijë edhe Matthius Mueller, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Volkswagen, për të diskutuar me drejtuesit e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Shteteve të Bashkuara.