Odiseja e operatorëve ekonomikë në terminalin e konteneirëve vazhdon. Megjithëse “Dyrrah” po e denoncon prej dy javësh këtë situatë, duket se autoritetet nuk kanë ndërmarrë asnjë masë shtesë për të normalizuar procesin e punës dhe eleminuar vonesat e tejzgjatura. Edhe këtë javë puna për ngarkim-shkarkimin e konteinerëve, transportimin e tyre në hapësirat portuale dhe ngarkimi në kamionë ka ecur me ritme mjaft të ngadalta.
Gjatë javës kanë qenë në punë herë dy mjete reach stacker e herë vetëm njëri, pasi tjetri pësonte avari. Nga katër mjete që duhet të operojnë në këtë terminal është në gjendje pune vetëm një që e administron Autoriteti Portual dhe një i dytë që është në pronësi të kompanisë “CARGOTEC”. Për të tretën javë rradhazi shoferët që transportojnë konteinerët kanë pritur me orë e orë të tëra që malli të ngarkohej në kamionë.
Në ndryshim nga javët e kaluara, gjatë javës që sapo u mbyll është konstatuar një fenomen i ri. Të irrituar nga pritjet e zgjatura disa shoferë kanë qenë të predispozuar të paguajnë nën dorë për të realizuar në kohë më të shpejtë ngarkimin e mallit. Megjithëse nuk duan të prononcohen publikisht ata nuk kanë nguruar të thonë se kanë paguar 1000 lekë të reja për çdo konteiner, duke përfituar kështu një shërbim të përshpejtuar.
Ndërkohë, të tjerë shoferë që nuk kanë preferuar të paguajnë janë detyruar të qëndrojnë në rradhë për një kohë shumë të gjatë. Veç vonesave në kohë dhe kostos së rritur për biznesin, përpunimi shumë i ngadaltë i konteinerëve i ka hapur rrugë fenomenit të korrupsionit.
Krahas tarifës portuale të përcaktuar me ligj për çdo konteiner të përpunuar në port biznesi ka qenë i detyruar të paguajë një kosto shtesë nën dorë duke rritur kështu në mënyrë artificiale koston e produkteve që transportojnë, kosto që mund të reflektohet edhe në çmimet me të cilat do të tregtohen këto produkte në treg.
Megjithë apelin e lëshuar nga operatorët ekonomikë që operojnë në këtë fushë dhe trajtimin mediatik Autoriteti Portual duket se nuk e ka vënë ujin në zjarr për të zgjidhur njëherë e mirë këtë problematikë. Nga ana tjetër, këto vonesa shkojnë në favor të APD-së, pasi për çdo orë apo ditë që një anije vonohet në kalatë është e detyruar të paguajë një kosto shtesë që shkon në arkën e Autoritetit Portual.
Megjithëse flitet për lehtësim procedurash dhe shërbime të shpejta porti i Durrësit duket se po bën hapa pas në këtë drejtim. Disa operatorëve ekonomikë, nga Kosova dhe Maqedonia, thonë se mund të nisin t’i kthejnë sytë nga portet e Malit të Zi, pasi situata e krijuar kohët e fundit në portin më të madh në vend ka nisur t’i shqetësojë dhe t’u krijojë probleme të shumta.