Miliona amerikanë do të votojnë më 6 nëntor për të zgjedhur mes Barak Obamës dhe Mitt Romney. Por një dyqan çokollatash në qytezën Frederik në shtetin e Marylandit, u jep klientëve mundësinë që ta hedhin votën e tyre edhe përpara kësaj date. Po si po realizohet kjo gjë?
Specialiteti dhe pasioni i shefit të kuzhinës Randy Olmstead, janë çokollatat. Në këtë sezon zgjedhor, ai ka krijuar diçka të veçantë; një fushatë politike çokollatash. Kjo ide i lindi gjatë fushatës së vitit 2008. “Ne kishim kandidatin e parë afrikano amerikan për president dhe ishte një situatë në të cilën do të doja të përfshihesha edhe unë, pasi ishte një moment historik për vendin. Ndaj menduam për të gjetur mënyrën më të mirë për të bërë një çokollatë demokrate e një çokollatë republikane”.
Çokollata demokrate ka të stampuar një gomar, ndërsa çokollata republikane ka një elefant; emblemat e dy partive të mëdha politike në Shtetet e Bashkuara. Sipas Randy Olmstead, kur blerësit kanë parë çokollatat e veçanta kanë reaguar në mënyra të ndryshme. “Kemi pasur raste kur një blerës në rradhë ka porositur çokollata demokrate. Blerësi pas tij ka pyetur: Sa bleu ai para meje? – 4 çokollata demokrate -Mirë, më jep 8 republikane”,- tregon Olmstead.
Qyteti Frederik përfshihet në shtetin e Marylandit, që zakonisht ka votuar gjithnjë demokratët. “Ne jemi në një qark ku përfaqësuesi ynë në dhomën e Përfaqësuesve është republikan, ndaj ndjehet disi ndarja politike”,- thotë Olmstead. Gjithsesi klientët e çokollata bërësit e kanë pëlqyer idenë e tij. Melisa Buckman, kliente e rregullt e dyqanit, thotë se i pëlqen fushata me çokollata. Ajo thekson se në jetë ajo është për politikën e bashkëpunimit.
“Shumë njerëz kanë ndjenja jo të mira për njëri-tjetrin dhe kjo bëhet personale pastaj. Ndaj mendoj se kjo është një mënyrë shumë e këndshme për të shkëmbyer ide me njëri-tjetrin”,- tha Buckman. Në të njëjtën mënyrë e mendon edhe një klient tjetër që sapo ka hedhur votën e tij dhe po shijon çokollatat dhe demokracinë.
“Për mua, është një ide e shkëlqyer. Është diçka për të përgëzuar, duke patur parasysh se në botë ka ende njerëz që luftojnë për të drejtën e votës. Ne e kemi kaq të lehtë këtu, ndaj duhet ta vlerësojmë këtë moment”,- thotë Tim Eichelberger. Sipas Olmstead çdo blerje është votë e vlefshme. “Rezultatet e deritanishme tregojnë: demokratët kryesojnë me 178 vota përballë 146 të demokratëve. Pra demokratët kanë 55 përqind të votave. Kjo nuk është e vështirë. Vjen, shkruan një çek dhe kaq”. Shifrat ndryshojnë vazhdimisht.
Çdo të martë, deri në ditën e zgjedhjeve, rezultatet përmes çokollatave publikohen në faqen elektronike të dyqanit. Randy Olmstead shpreson se fushata e tij do të rrisë pjesëmarjen në votime. Dhe natyrisht shitjen e çokollatave.