Policia ka arrestuar dy kushërinjt e dyshuar për vrasjen e 30-vjeçarit, Romeo Hasalla, ditën e sotme në fshatin Garunjas në Lushnjë.

Mësohet se të arrestuarit janë Marius dhe Afrim Hasalla.

Ndërkohë Kastriot Hasalla i cili dyshohet se ka qëlluar për vdekje 30-vjeçarin, është ende në kërkim nga policia dhe vijon puna për kapjen e tij,

Njoftimi i policisë:

Lushnjë

Kapen dhe vihen në pranga dy nga autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur mëngjesin e sotëm në Garunjas të Lushnjës. Vijojnë kontrollet intensive për kapjen e autorit tjetër të shpalluar në kërkim.

Strukturat hetimore të DVP Fier në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnje në vijim të punës intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur në fshatin Garunjas, kanë vijuar kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i kontrolleve të pandërprera gjatë ditës së sotme, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, është bërë e mundur kapja e dy prej autorëve të dyshuar të shpallur në kërkim, shtetasit M. H., 20 vjeç dhe A. H., 42 vjeç, banues në Garunjas, Lushnjë.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë është bërë arrestimi i tyre për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë. Vijon puna nga shërbimet e Policisë për kapjen e shtetasit K. H.