Policia ka njoftuar se ka arritur të identifikojë dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar për vrasjen e 33-vjeçarit Valter Fierza një natë më parë në Shkodër. Ai është 24-vjeçari me inicialet K.M, ndërkohë që policia njofton se ka shpallur në kërkim edhe 4 persona të tjerë.

Në vijim të veprimeve procedurale, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. M., 24 vjeç, A. M., 23 vjeç, P. M., 22 vjeç dhe L. M., 20 vjeç, të gjithë banues në fshatin Hot i Ri, si dhe shtetasi E. D., 38 vjeç, banues në lagjen “Vojo Kushi”. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se këta 5 shtetas janë përfshirë në një konflikt të çastit, për motive të dobëta, jashtë një lokali në fshatin Hot i Ri, me vëllanë e 33-vjeçarit, shtetasin K. F., 35 vjeç. Pas konfliktit, drejt vendit të ngjarjes është afruar me automjet, shtetasi V. F. Sapo ka parë automjetin, shtetasi K. M. dyshohet se ka qëlluar disa herë, me armë zjarri kallashnikov, në drejtim të 33-vjeçarit, i cili për pasojë, mbeti i vrarë.

“Si rezultat i punës intensive hetimore, të kryer nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmë, rreth orës 21:48, në fshatin Hot i Ri, ku për shkak të një konflikti të çastit, u vra me armë zjarri kallashnikov, shtetasi V. F., është bërë e mundur zbardhja e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimi i shtetasve të përfshirë në të.

Policia gjeti dhe sekuestroi me cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë (dyshohet në posedim të shtetasit K. M.) dhe 3 gëzhoja që u gjetën në vendngjarje. Vijojnë kërkimet intensive për kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për gjetjen e armës me të cilën është kryer vrasja, si dhe vijojnë hetimet e thelluara për të individualizuar përgjegjësinë penale për këtë rast. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.