Forcat RENEA kanë ushtruar mesditën e kësja të mërkure kontrolle në banesën e Ervis Lamit, i shpallur në kërkim pas vrasjes së Lulzim Vishës, ngjarje e ndodhur më 24 janar.
Mësohet se nga kontrollet e kryera nuk është gjetur ende asnjë gjurmë e Lamit. Sakaq referuar këqyrjes së sistemit TIMS, dyshohet se Lami ndodhet në Shqipëri dhe nuk rezulton që të ketë kaluar kufirin.
Vrasja e Lulzim Vishës:
Ngjarja e rëndë u raportua mëngjesin e 25 janarit, ku 48-vjeçari Lulzim Visha, u gjet pa shenja jete brenda një automjeti në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner. Visha ishte postier në një postë private në Tiranë, dhe dyshohet se ishte nisur për në punë në momentin që është ekzektuar me armë zjarri. Ai u qëllua me silenciator pasi banorët e zonës janë shprehur se nuk kanë dëgjuar të shtëna. Ndërkohë në vendin e ngjarjes policia tha se janë gjetur 12 gëzhoja pistolete.
Ndërkohë lidhur me ngjarjen policia arrestoi 37-vjeçarin Eduart Lami ndërsa shpalli në kërkim djalin e xhaxhait të tij, 31-vjeçari Ervis Lami, pasi në banesën që përdornin dy kushërinjt u gjet automatik me silenciator. Kontrollet ndaj tyre dhe arrestimi vjen pas dyshimeve për përfshirje në vrasjen e raportuar dje të 48-vjeçarit Lulzim Visha në Tiranë.
Sipas policisë, gjatë kontrollit në banesën në rrugën ‘Paqësore’, Zall Mner të Kamzës, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e banesës janë gjetur 4 gëzhoja armë. Nuk dihet ende destinacioni i Ervis Lamit, por ka dyshime se ai mund të jetë larguar ilegalisht në Kosovë, duke shmangur kontrollin në kufi dhe më pas të jetë larguar në destinacione të tjera.