Policia e Shtetit ofron shpërblim 10 mijë euro për këdo që jep informacion për vendndodhjen e Talo Çelës, i shumëkërkuar nga autoritetet për disa vepra penale.
49-vjeçari nga Elbasani është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”, në lidhje me hetimet për grabitjen e parave në pistën e aeroportit të Rinasit më 9 prill 2019.
Së fundmi, Talo Çela dyshohet edhe si autor i vrasjes së vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhiaj, ngjarje e ndodhur më 27 prill 2020 në tregun e makinave në Shënvlash të Durrësit.
“Për çdo informacion që i shërben kapjes së këtij personi, qytetarët të telefonojnë në numrin e celularit 069 41 06 823, si dhe në numrin pa pagesë 112 apo në Komisariatin Dixhital, duke iu garantuar anonimat të sigurt”, njofton Policia e Shtetit.