Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin për dënimin me 30 vite burg të Agron Tufës, i akuzuar për vrasjen me plumb në kokë dhe varrosjen pranë parcelës me kanabis të 34-vjeçarit Kejsi Hysa.

Agron Tufa u dënua me 30 vite burg nga Gjykata e Krujës më 19 qershor 2021 për vrasjen që tronditi vendin.

Ai akuzohet se më 5 korrik të vitit 2018 vrau Kejsi Hysën në fshatin Shelqet të Niklës pas prishjes së pazareve të drogës.

Agron Tufa u shpall fajtor në mungesë për vrasje me dashje.

Për ngjarjen është dënuar me 20 vite burg, autori i dytë, Hysni Rama, i cili u vetëdorëzua në Polici pak ditë pas krimit dhe pranoi akuzat.

Në këtë mënyrë, ai përfitoi gjykim të shkurtuar, duke përfituar kësisoj edhe uljen e dënimit nga 30 vite në 20 vite burg.

NJOFTIM PER MEDIA

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Mbi bazën e materialit referuar nga Komisariati i Policisë Krujë, prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë, ka regjistruar procedimin penal të vitit 2018, i cili lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 07.07.2018, ku shtetasi me iniciale S. H në Komisariatin e Policisë Laç ka bërë kallëzim për zhdukjen e djalit të tij me iniciale K. H.
Pas marrjes në pyetje të shtetasit me iniciale H. R, ky i fundit ka deklaruar se ai së bashku me shtetasin A. T e kishin vrarë dhe groposur pranë varrezave të lagjes shtetasin me iniciale K. H.

Mbi kërkesën e Prokurorisë, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, është zhvilluar gjykimi i çështjes penale ndaj:.

I. të pandehurit me iniciale A. T (në mungesë), i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 76-25, 278/1-25 dhe 303-25 të Kodit Penal.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, me vendimin nr. 99, datë 17.06.2021, ka vendosur:

• Deklarimin fajtor të pandehurit A.T për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 76-25 të Kodit Penal dhe në zbatim të kësaj dispozite dënimin e tij me 20 (njëzet) vite burgim.
• Deklarimin fajtor të pandehurit A. T për kryerjen e veprës penale të “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 278/1 -25 të Kodit Penal dhe në zbatim të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 (pesë) vite burgim.
• Deklarimin fajtor të pandehurit A. T për kryerjen e veprës penale të “fshehja ose asgjësimi i kufomës” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 303-25 të Kodit Penal dhe në zbatim të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 (pesë) vite burgim.
• Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve për të pandehurin A. T, duke u dënuar me një vendim të vetëm prej 30 (tridhjetë) vite burgim.
• Vuajtja e dënimit për të pandehurin A. T të kryehet në një burg të sigurisë së lartë.

Më datën 06.01.2024, nga Autoritetet Italiane është bërë i mundur arrestimi i të pandehurit me iniciale A.T me qëllim ekstradimin e tij nga Roma në Shqipëri; ekstradim ky, i cili është kryer në datë 13.09.2024.

Mbi kërkesën me objekt: “Rivendosje në afat të ankimit ndaj vendimit nr. 99, datë 17.06.2021 të gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë” të paraqitur nga ana e përfaqësuesit ligjor të të dënuarit me iniciale A.T , Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr.1244, datë 10.12.2024 ka vendosur:

“Rivendosjen e të dënuarit A.T në afat për të bërë ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, kundër vendimit nr 99, datë 17.06.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë…”
Ç

ështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga i pandehuri me iniciale A. T, i cili kërkoi prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me një tjetër trup gjykues.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 25.02.2025 Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Fatri Islamaj dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Marsela Pepi, vendosi:

-Lënien në fuqi të vendimit nr. 99, datë 17.06.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.

Tiranë, më 25.02.2025

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM