14shtator 2015 – Nderohet pas vdekjes oficeri i RENEA-s, i cili u vra gjatë aksionit në Lazarat në qershor të këtij viti. Ibrahim Basha u nderua nga presidenti Nishani me Dekoratën e Artë të Shqiponjës me motivacionin: “Për merita dhe shërbime të veçanta në luftë me grupe të strukturuar kriminale për garantimin e rendit dhe sigurisë publike; për trimëri dhe kontribute të spikatura në operacionet luftarake në Afganistan dhe Irak, në mbrojtje të paqes dhe lirisë, në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar”.

“Jeta e tij ishte e shkurtër, por ishte e jetuar me shumë intensitet, ishte e mbushur me ngjarje shpeshherë me rrezik real të jetës për të, por besoj se kishte një kryetemë, atë të luftës pa ndalim ndaj të keqes, qoftë ky një rrezik real terrorist në Irak dhe Afganistan apo dhe kundra krimit të organizuar dhe elementëve keqbërës këtu në Shqipëri”,  vuri në dukje Presidenti Nishani.

Basha u ekzekutua nga një grup të rinjsh, të cilët i zunë pritë furgonit të policisë në brendësi të Lazaratit. Autorët janë arrestuar. Ata dëshmuan se e bënë për hakmarrje, për aksionin e një viti më parë kundër drogës.

/portali DurresLajm/