Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj ndaj Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe gjashtë të pandehurve të tjerë, të dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, Visart Cengu.

Vazhdimin e paraburgimit për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Pas kërkesës së Prokurorisë, gjykata e ka aprovuar vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për 2 muaj“, ka thënë Gashi për Insajderin.Vrasja e 31 vjeçarit nga Kukësi – Kërkohet vazhdimi i paraburgimit ndaj Kobrës dhe të tjerëve

Si ndodhi ngjarja që tronditi Shqipërinë dhe Kosovën?

Natën e 3 janarit, 31 vjeçari Visart Cengu së bashku me dy shokët e tij, kishin dal për t’u argëtuar. Ata kishin zgjedhur lokalin “Kobra City” për ta kaluar natën e tretë festive të vitit të ri.

Fatura në vlerë prej 400 eurosh, u tha se u bë shkas që Visart Cengu, Rufgen Shehu dhe A.B të përleshen brenda lokalit në fjalë.

Në kohën kur të përmendurit kishin dal nga lokali, në parking i kishte pritur Dibran Hoxhaj. Hoxhaj kishte shtënë me armë në drejtim të veturës së tyre.

I vrarë mbeti Visart Cengu dhe i plagosur Rufgen Shehu. Ata nuk e ndaluan makinën derisa kaluan kufirin.

“Pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën me targa angleze, për tu larguar, në parkingun e lokalit paraqitet i dyshuari Dibran Hoxhaj, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin Visart Cengu, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe Rufgen Shehu, i cili kishte qenë në ulësen e përparme. Si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri Visart Cengu, ndërron jetë rrugës për në spital të Kukësit, derisa Rufgen Shehu nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Dibran Hoxha dyshohet për veprat penale vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe manipulim me prova.

Të dyshuarit e tjerë, shokët e Hoxhës, Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahu, po dyshohen për veprën penale pjesëmarrja në rrahje.