Lëkundjet e një prej vullkaneve më aktivë në Japoni kanë sjellë në pah një faqe të rëndësishme të historisë bashkëkohore, prej dekadash e fundosur në ujërat e një ishulli të humbur.  

Bëhet fjalë për Iwo Jima, ishullin në mes të Oqeanit Paqësor i njohur për një nga betejat më të ashpra dhe gjakderdhëse të luftës së dytë botërore, ku në terrenin vullkanik të ishullit u përballën për 5 javë ushtritë amerikane dhe ato të ushtrisë perandorake japoneze

Rreth 40 mijë ushtarë të ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë humbën jetën në atë betejë, e fituar nga amerikanët. Ishulli ka marrë famë vitet e fundit edhe prej filmit të Clint Eastwood “Letters from Iwo Jima”.

Dhjetëra mjete transportuese nga të dy ushtritë u fundosën gjatë betejës dhe për dekada u fundosën në det. Por aktiviteti sizmik i viteve të fundit i vullkanit Suribachi ka ndryshuar strukturën e atyre brigjeve, duke nxjerrë në pah anijet që si fantazma duken aty për t’i treguar njerëzimit tragjedinë e luftës.