Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar Kongresin e SHBA-ve për një leje të propozuar për eksportimin e artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve ushtarake drejt Kosovës, me vlerë mbi 14 milionë dollarë.
Njoftimi është dërguar në përputhje me Ligjin për Kontrollin e Eksportit të Armëve dhe i është përcjellë Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan. Një prej neneve të ligjit kërkon që administrata amerikane të informojë Kongresin për shitjet ose lejet e propozuara që lidhen me pajisje dhe shërbime ushtarake për shtete të huaja.
Në dokumentin e publikuar nuk jepen detaje për llojin e pajisjeve apo shërbimeve që përfshihen në këtë paketë.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ende nuk ka dhënë hollësi shtesë lidhur me këtë çështje.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur në SHBA po shtohen thirrjet për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Megjithatë, Kosova ende nuk ka bërë kërkesë formale për anëtarësim, pasi përballet me pengesa për shkak se katër vende anëtare të aleancës, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, nuk e njohin pavarësinë e saj.
SHBA-të kanë mbështetur vazhdimisht forcimin e kapaciteteve ushtarake të Kosovës. Në vitin 2018, Kosova mori automjete ushtarake të tipit Humvee, ndërsa më vonë bleu pajisje të tjera ushtarake amerikane. Në vitin 2021, qeveria amerikane i dhuroi Kosovës 55 automjete të blinduara të tipit ASV.
Forca e Sigurisë së Kosovës ndodhet aktualisht në procesin e transformimit në ushtri. Ky proces nisi në vitin 2018 pas ndryshimeve ligjore dhe pritet të zgjasë 10 vjet.
Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur këtë transformim, ndërsa NATO ka kërkuar që FSK-ja të vazhdojë të fokusohet te detyrat e saj fillestare, si reagimi ndaj krizave dhe mbrojtja civile.
FSK-ja po përgatitet gjithashtu të marrë pjesë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, e cila parashikohet në planin për paqe të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Muajin e kaluar, një ekip i FSK-së ka zhvilluar një vizitë në Rripin e Gazës për të vlerësuar terrenin ku mund të dislokohen trupat kosovare si pjesë e forcës ndërkombëtare.
Sipas planit të parashikuar, kjo forcë do të veprojë në koordinim me Izraelin, Egjiptin dhe një forcë policore palestineze të trajnuar rishtas. Ende nuk dihet saktësisht se kur do të nisë dislokimi i kontingjenteve të para, por raportimet sugjerojnë se kjo mund të ndodhë gjatë muajit maj.





