Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, ftoi opozitën që të ushtrojë të gjitha funksionet e saj kontrolluese në lidhje me akuzat për një trafik të paligjshëm armësh ku dyshohet të jenë përfshirë zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Wollfarth pranoi se nuk ka informacion konkret në lidhje me këtë çështje, por theksoi se opozita i ka të gjitha instrumentat ligjore për të hetuar. 

“Unë e kam theksuar edhe më parë dhe vazhdoj ta theksoj se është i rëndësishëm roli që ka Parlamenti për të sqaruar punën e ekzekutivit, të qeverisë. Ky është një proçes që duhet të ndodhë në Komisionet Parlamentare. Kështu që unë do t’ju bëja thirrje për përdorimin dhe respektimin e rregullave dhe të proçedurave që ekzistojnë për çështje kaq të rëndësishme”,- u shpreh nga Gramshi diplomati i huaj.

Nga ana tjetër, zv/ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia, që shoqëronte Wollfarth në Gramsh në përurimin e sistemit të kamerave në pikën e demontimit të armëve, tha se Shqipëria gëzon të gjitha të drejtat ligjore për të shitur armë legalisht. Sipas tij, ky proçes është kryer në transparencë të plotë.