Kryetari i degës së PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferaj në një intervistë për televizionin ABC foli rreth ngjarjeve të fundit të ndodhura në arenën politike. Xhaferaj komentoi plagosjen e ndodhur në Kavajë, ku një nga anëtarët e PD-së mori një plumb në këmbë. Sipas tij, kjo është situata që po krijon Qeveria në ikje e Edi Ramës.

“E gjithë problematika vjen nga këta që po ikin. Nëse PD është me plan konkret, këta janë me propagandë. Nëse PD ka listë kandidatësh, ata janë me numra”, tha Xhaferaj.

Më tej Ferdinand Xhaferaj është ndalur tek denoncimet që ai ka bërë në SPAK, duke thënë se Drejtori Ligjor i Bashkisë Durrës i kishte kërkuar administratës që të dilnin të punonin në fushatë. Sipas Xhaferrajt, Arben Isaku, drejtor në Bashkinë e Durrësit, i dërgon mesazhe punonjësve të tij duke kërkuar që të lenë punën dhe të merren me fushatë.

Në mesazhin e Isakut publikuar më parë nga Xhaferaj, ish-drejtori i ALUIZNI-t, i arrestuar një herë pas tërmetit në Durrës, u kërkon vartësve të tij që të bëjnë evidentimin e votuesve gri në lagjet e tyre, me qëllim ata të joshen apo shantazhohen. 
Xhaferaj tha se Qeveria Rama po abuzon me fondet e dhëna nga Bashkimi Evropian për rindërtimin. “Qytetarët u drejtohen institucioneve dhe nuk marrin përgjigje. Ishin 13 shkolla për tu bërë dhe shkuan në 29 shkolla. Kjo për shkak se tek shkollat janë tenderat. 2.6 miliard pa tvsh për një shkollë”, tha Xhaferaj. 

Ai i bëri apel qytetarëve të qëndrojnë të qetë, pasi janë dhënë 1 miliard e 100 milionë euro nga BE dhe me ardhjen e PD-së në mazhorancë shtëpitë e tyre do të ndërtohen aty ku ishin.