Intervistoi Mila Ballhysa

Një ditë pas mitingut përmbyllës të fushatës së PD-së dhe Aleancës për Ndryshim në Durrës, kreu i degës lokale, Ferdinand Xhaferaj shprehet entuziast për atë çfarë qytetarët treguan në shesh.

“Një uragan i pandalshëm njerëzish që e tregonte frymë, entuziazëm, forcë, të cilat e shprehnin shumë qartë se ndryshimi po vjen dhe askush nuk mund ta ndalë ndryshimin”,– tha Xhaferaj.

Për kreun e PD Durrës dhe njëherazi kandidat për deputet, fushata e koalicionit Aleanca për Ndryshim kishte dy pika shumë të forta, listën e kandidatëve dhe programin e PD-së, të cilat garantojnë sipas tij fitoren më 25 prill.

I pyetur nga “DurrësLajm”, se si është pritur braktisja që disa zyrtarë të PS-së i bënë partisë në zonën e tij elektorale dhe u bashkuan me PD, Xhaferaj përgjigjet:

“Nuk kanë dalë vetëm në zonën time elektorale, kanë dalë në të gjithë Durrësin. Po dalin në të gjithë Shqipërinë. Kjo është që e bën unike këtë fushatë. Unë kam drejtuar disa fushata elektorale në Durrës dhe në të gjitha fushatat e tjera kanë qenë dy kampe, kampi demokrat dhe kampi socialist. Tani kemi një sekt, sektin e Rilindjes me Ramën dhe një grusht njerëzish rrotull tij dhe i gjithë qyteti i bashkuar, me socialistë e me demokratë, me parti dhe pa parti, të gjithë të bashkuar për ndryshimin”.

Duke nënvizuar se problemet e Durrësit, i vuajnë të gjithë njësoj, socialistë e demokratë bashkë, Xhaferaj shpreh bindjen se “qyteti bregdetar e ka ndarë që më 25 prill të shpëtojë nga ky makth që e vuan padrejtësisht”.

Ndërsa ndalet tek ngjarja e rëndë e regjistruar në Elbasan një ditë më parë, kreu i PD Durrës fajëson maxhorancën për tensionimin e situatës, pasi, sipas tij, kësaj të fundit i ka mbetur vetëm presioni mbi administratën dhe tentativa për shitblerjen e votës si e vetmja formë për të mbajtur me forcë pushtetin.

Kandidati për deputet, i renditur i pesti në listën e PD-AN për qarkun e Durrësit, flet me emra konkretë për personat që qëndrojnë pas këtyre tentativave antiligjore.

“Alban Çela i jep lekë Redon Qerretit për të blerë vota në ish-Kënetë. Kështu janë të gjitha rastet e denoncuara”,– thotë Xhaferaj.

Ai përjashton mundësinë që rezultati i 25 prillit të manipulohet, sepse sipas kreut të degës lokale, në momentin kur ka tentativa të tilla, strukturat e PD-së dhe strukturat e mbrojtjes së votës njoftohen menjëherë.

Xhaferaj thotë se lista me mbi 30 emra të dorëzuar në SPAK nga PD-së, ku përfshihen funksionarë të lartë të Partisë Socialiste, është hartuar mbi bazën e denoncimeve të vetë socialistëve durrsakë.

“Ata vetë na e thonë, ata vetë, socialistët e thjeshtë nuk i durojnë dot”,- deklaron kandidati për deputet.

Sipas Xhaferajt, më 25 prill, “Durrësi do të ketë rezultatin më historik në favor të Partisë Demokratike”.

Për Xhaferajn, PD do të arrijë të marrë 9 mandate në qarkun Durrës, duke i dhënë kështu një goditje të fortë sektit të Rilindjes, siç pretendon ai ta konsiderojë Partinë Socialiste.