NGA BUJAR QESJA
-I prita në një mëngjes me shumë kënaqësi
Arti dhe kultura durrsake është me histori. Dhe vazhdues të saj, janë edhe dy emra të njohur Ylli Çifti dhe Petrit Dobjani. Ylli është një yll i këngës, një zë i pafikur i muzikës, duke vazhduar të mbetet pjesë e jetës artistike të Durrësit. Shok të ngushtë që herët. I bashkoi qyteti, puna në Portin Detar, por veçanërisht kënga.
Dy zëra shumë të njohur, të kërkuar dhe preferuar nga rinia. Kaluam një mëngjes të përmallshëm. Në moshë paksa më i madh nga ata, por kemi ecur paralel në shijimin dhe prekjen e muzikës durrsake. Në punët e mia, kam qenë i përfshirë që në moshën 23 vjeçare me artin amator. Puna dhe detyra në Këshillin e Bashkimeve Profesionale të Rrethit të Durrësit, më kishin lidhur me lëvizjen artistike në qendrat e punës dhe prodhimit, shumë aktive dhe të fuqishme.
Ylli Çifti dhe Petrit Dobjani, dy djem të artë, me ëndërra për ecurinë e tyre artistike ishin nga më të kërkuarit. Durrësi mbetet vatër e talenteve të reja në kohë, nxitur dhe nga forcat krijuese. Kompozitorët durrsake ishin mjaft të zot dhe manifestonin aftësi dhe mjeshtëri në festivalet e njohur të këngës durrsake. Kam mall dhe detyrim t’ua përmënd emrat. Dhe i bëj bashkë si një buqetë me lule, duke i dhënë aromë tërheqëse të gjithkohshme muzikës së njohur durrsake.
E nisim me Pjetër Dungun, e vazhdojmë me Enver Marën, Agron Xhungën, Shaqir Kodrën, Vasil Mema, Hajg Zaharjanin, Maksim Shehu, Todi Kutinën, Isuf Xhumrrin, Ylli Ramzotin, Kujtim Turkun, Zyhni Beqirajn etj. Mbase ka edhe të tjerë, ashtu sikundër mund të përmënd disa nga këngëtarët më pikantë si Qemal Kërtusha, Zija Saraçi, Miga Hysi, Rajmonda Kamberi, Jolanda Dhamo, Engjellushe Lazo, Ramadan Muhameti, Namik Sadiku, Mimoza Musaj, Naim Kërçuku, Valentina Gjoni, Lorenc Barometa, Dhimitër Stefa, Melita Shehu etj.
Në këtë sfond zhvillimi të tarditës së këngës, u rritën dhe zhvilluan talentin e tyre edhe Ylli Çifti me Petrit Dobjanin. Ylli që fëmijë meritoi çmimin e parë në Festivalin e Pionierëve në Durrës. Ishte 14 vjeç. Dhe që nga ajo kohë, ecuria artistike e tij erdhi në rritje. Nga Shtëpia e Pionierit, në Klubin e Portti Detar, në pallatin “Rinia”, duke qenë nga më aktivët e këngës. Dhe mbi këtë përvojë, Yllin e shikojmë të këndojë në festivale të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, duke ruajtur dhe promovuar trashigiminë e këngës dhe veçanërisht atë popullore.
Pjesë e karrierës së tij, janë angazhimet në festivalin e parë të këngës popullore me ansamblin e shtetit, me ansamblin e ushtrisë dhe në Festivalet Kombëtare të këngës. Çifti ka kënduar në skenat e Kosovës, Italisë, Bullgarisë, Turqisë etj. I “qan” këngët popullore të Shqipërisë së Mesme dhe mbetet këtu gjithnjë i kërkuar. Ndonëse në moshën 72 vjeçare, Ylli i muzikës durrsake, organizoi koncert recital, që u shoqërua me interesim të jashtëzakonshëm nga amatorë e këngës popullore.
Dhe nuk ka ndërmënd të “dorëzohet”. I gjallë si në rini, këndon e këndon pa u ndalur. Kënga është jetë për të, e mban të freskët dhe gjithnjë aktiv. Për angazhime dhe merita është zgjedhur edhe sekretar i Shtëpisë së Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës, vlerësim për tërë jetën e tij artistike.
Me Ylli Çiftin ishte edhe Petrit Dobjani, 72 vjeçar tashmë. Emër shumë i njohur i muzikës durrsake. Zëri dhe performanca e tij, ashtu sikundër edhe e Ylli Çiftit, janë frymëzim jo vetëm atëherë, por edhe tani e pas kësaj për këngëtarët, talentet e reja dhe masën e gjërë të artëdashësve.
Viti 1971, e gjeti Petrit Dobjanin të jetë në ballë të një grupi këngëtarësh të rinj, që promovuan talentin e tyre dhe njohën më pas profesionizmin. Petriti lëvroi më shumë muzikën e lehtë, duke qenë prezent në të gjithë veprimtaritë lokale dhe komëbtare që organizoheshin në vitet 70-të dhe 80-të.
Për herë të parë krijimin e Isuf Xhumrrit dhe Moikom Zeqos “Kënga e Marinarit”, e ka interpretuar Petrit Dobjani, që më pas ngjiti edhe në zërin mjeshtëror të Zija Saraçit. Dobjani në moshën 20 vjeçare, dha fuqinë e shkëlqimit në Festivalin e 11-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, me krijimin e Avni Mulës dhe Tonin Milotit “Përshëndetje”. Durrsaku Dobjani fatmirësisht i shpëtoi ndëshkimeve, ku mjaft artistë u dënuan madje edhe u burgosën si Sherif Merdani.
Në Festivalin e 13-të të këngës në vitin 1974, Petrit Dobjani interpretoi në mënyrë të magjishme këngën e kompozitorit Enver Shëngjergji dhe të poezisë nga Zhuljana Jorganxhi “Vajzat e fshatit tim”, e dubluar edhe nga e mirnjohura Alida Hisku. Në festivalin pasardhës, Petriti vendosi në arkivën e tij këngën “Udhëve të pesëvjeçarëve”.
Më i plotë bëhet portreti artistik i këngëtarit Petrit Dobjani, me këngët “Dhona 23”, ‘Një degë e gjelbër”, ‘Mbrëmja e fundit” dhe “Kafe Flora”. Me këto interpretime dhe jo vetëm, Petrit Dobjani është vlerësuar nga përfaqësuesit e rëndësishëm të muzikës së lehtë shqiptare në vitet 70-të, duke dhënë ndihmesë aktive në pasurimin e skenës muzikore kombëtare me interpretime cilësore.
Një ditë tek unë Ylli Çifti dhe Petrit Dobjani. Sa kënaqësi! Njohje e kahershme, nga vitet e rinisë dhe deri tani, kur të tre i kemi kaluar 70-të vitet. Të mirë, të qetë, të sinqertë, të dashur e shumë shoqërorë si gjithnjë. Kaluam në kujtime, duke çmuar vlerat e qytetarisë durrsake në zhvillimin e artit dhe kulturës.
Ylli është ende me mikrofon në dorë, e Petriti këndon nëpër kujtime dhe nostalgjinë e dikurshme. Por durrsakët i duan dhe i çmojnë vlerat e artit skenik të tyre. Ata janë vetëm dy, në morinë e pafund të interpretuesve durrsakë në vite të këngës, si të muzikës së lehtë ashtu edhe në atë popullore.
E paharruar nisma para disa viteve, e biznesmenit të njohur dhe këngëtarit gjithashtu Namik Sadiku, që në resortin e tij “Bleart”, organizoi takimin madhështor dhe pse jo edhe historik, ku u ftuan të këndojnë në një shou pikant, shumica e këngëtarëve durrsakë në vite. Vlejnë gjithashtu edhe përpjekjet e jashtëzakonshme të kantaautorit të njohur Zija Saraçi, për krijimin e “Antalogjisë së Këngës Durrsake”. Do të ishte shumë i mirpritur botimi i saj.
Ylli Çifti dhe Petrit Dobjani vijnë të më takojnë. Mall, respekt dhe nostalgji. Dikur fare të rinj, me karrierë në rritje dhe historike. Tani në prag të moshës së tretë, por mbeten gjithnjë të gjallë, të freskët, si në rini.
Ju paça miq!
Bujar Qesja
Durrës: 21 maj 2025
Në pamje, nga e djathta: Petrit Dobjani, Ylli Çifti dhe Bujar Qesja.
.