Yndyrnat e tepruara mund të ndikojnë në rënien e flokëve. Ky është konkluzioni i një studimi të publikuar në revistën shkencore ndërkombëtare Nature.

Jo vetëm diabeti, sëmundjet kardiovaskulare e obeziteti, por edhe rënia e flokëve duket se është pasojë direkte e një regjimi ushqimor të pasur me yndyrna , që duket se bllokon procesin e rigjenerimit dhe daljes së flokëve, duke shkaktuar përfundimisht rënien e tyre.

Zakonisht qelizat staminale rinovohen në çdo cikël jetësor të folikulave të flokëve, duke bërë të mundur ridaljen e tyre pas rënies.

Me kalimin e moshës, disa prej tyre nuk rinovohen më dhe kështu flokët rrallohen. Dhe sipas eksperimenteve të realizuara në kaviet e laboratorit, rezulton se obeziteti e përshpejton shumë këtë proces.

Kërkuesit kanë krijuar dy grupe, ku i pari ushqehej në mënyrë të rregullt dhe grupi i dytë me ushqime që kishin përmbatje të larta yndyrore.

Në fund rezultoi se pjesëtarët e grupit të dytë humbën shumë herë më tepër pjesë të gëzofit në krahasim me ata të grupit të parë.

Studimet në këtë fushë vijojnë, por ndërkohë është shumë më mirë të ndiqet një regjim ushqimor i rregullt në përmbajtje edhe për një arsye më tepër, pikërisht për të patur më shumë e më gjatë flokë të shumtë e të shëndetshëm.