Metabolizmi është një proces biokimik natyral që ndodh kur trupi transformon ushqimin në energji të shfrytëzueshme. Sa më efikas të jetë ky proces, aq më të pakta janë gjasat që të shtoni në peshë. Në rastet kur metabolizmi nuk është në efikasitet të plotë, trupi e ka të vështirë, në mos të pamundur të djegë yndyrnat.

Për të rritur në mënyrë efektive metabolizmin tuaj, është e rëndësishme të identifikoni zakonet e përditshme që mund të jenë duke ngadalësuar metabolizmin tuaj. Për këtë, ju njohim me këshillat e ekspertëve të shëndetit, në mënyrë që t’i identifikoni këto vese dhe t’i trajtoni ato.

Konsumoni mëngjes shumë vonë

Pas gjithë atyre orëve në gjumë, pa kosnumuar ushqim, metabolizmi juaj ka nevojë për “karburant”. Ekspertët e shëndetit këshillojnë që mëngjesi të konsumohet brenda orës së parë të zgjimit, ose akoma edhe më mirë brenda 15 min nga zgjimi.

Nuk konsumoni proteina

Trupit tuaj i duhet më shumë kohë për të tretur proteinat, kështu që ushqimet me proteina, si për shembull vezët, do t’ju mbajnë të ngopur për më gjatë. Proteinat gjithashtu mund t’i japin metabolizmit tuaj pak më tepër nxitje, prandaj këshillohet t’i shtoni në çdo vakt.

Keni ndaluar konsumin e kafesë

Pirja e kafesë mund të shkaktojë një rritje të përkohshme të metabolizmit, por të konsiderueshme. Kafeina absorbohet në rrjedhën e gjakut shumë shpejt, duke përshpejtuar rrahjet e zemrës dhe duke siguruar rritjen e metabolizmit.

Nuk konsumoni mjaftueshëm ujë

Çdo proces qelizor në trupin tuaj mbështetet tek uji, kështu që hidratimi do të rrisë metabolizmin. Kur nuk jeni të hidratuar, keni më pak energji për të kryer qoftë edhe aktivitetet më të thjesha.

Po mbani dietë

Kur i reduktoni kaloritë në mënyrë drastike, në përpjekje për të hequr sa më shpejt kilet e tepërta, trupi juaj do të përpiqet t’i mbajë ato edhe më fort. Kjo ndodh sepse trupi mendon se po vdes nga uria, kështu që ngadalëson shpejtësinë me të cilën djeg kaloritë, për të kursyer energji. Konsumi i vakteve me sasi vogla dhe të ekuilibruara gjatë ditës, mund t’ju ndihmojë për të humur peshë në mënyrë të qëndrueshme dhe të shëndetshme.

Qëndroni ulur për një kohë të gjatë

Një kohë e konsiderueshme shpenzohet duke qëndruar ulur, si për shembull në punë, makinë ose në divan duke parë TV. E gjithë kjo sjellje lidhet me mundësinë e prekjes nga sëmundjet e zemrës, diabetit dhe sëmundjeve të tjera serioze për shëndetin. Kur qëndroni ulur, metabolizmi juaj nuk është aq funksional, prandaj këshillohet që çdo gjysëm ore të lëvizni.

Stresoheni shumë

Stresi rrit hormonet që stimulojnë oreksin. Llojet e ushqimeve në të cilat priremi të kërkojmë në këtë rast janë ato të përpunuarat, me shumë yndyrë dhe sheqer, të cilat ndikojnë negativisht në metabolizmin tuaj.

Flini shumë pak

Mungesa e gjumit mund të rrisë rezistencën ndaj insulinës, duke bërë që sheqeri në gjak të rritet. Kjo gjë mund të ndikojë edhe tek nivelet e hormoneve që ndikojnë në metabolizmin tuaj. Kur nivelet e kortizolit rriten, kjo shoqërohet me ruajtjen e dhjamit. Që trupi juaj të bëjë sa më mirë punën e tij, i duhen shtatë deri në nëntë orë gjumë në natë./AgroWeb