Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik është bërë në Egjipt. Shërbimi i Antikitetit njoftoi se është gjetur varri i faraonit Thutmose II. Ky është i fundit nga varret e humbura të faraonëve të dinastisë së 18-të të Egjiptit të Lashtë.

Thutmose II ishte paraardhës i Tutankhamun dhe gruaja e tij ishte gjysmë motra e tij, Hatshepsut. Sipas qeverisë egjiptiane, ky është zbulimi më i rëndësishëm që nga viti 1922, kur u gjet varri i Tutankhamun.

Arkeologët egjiptianë, së bashku me ekspertë britanikë, zbuluan varrin e Thutmose II në një zonë malore në Tebë, në perëndim të Luginës së Mbretërve.

Mohamed Ismail Khalid, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Antikiteteve, tha se varri rreth 3500-vjeçar është një nga gjetjet më të rëndësishme në Egjipt në dekada.

“Kjo është hera e parë që zbulohen mobilje funerale që i përkasin Thutmose II, pasi nuk ka objekte të tilla në muzetë në mbarë botën,” tha ai, sipas agjencisë shtetërore të inteligjencës egjiptiane.

Sipas Khalid, arkeologët kishin zbuluar hyrjen e varrit tre vjet më parë dhe e kishin të vështirë të gërmonin për shkak të përmbytjeve të mëparshme.

Megjithatë, objektet e zbuluara brenda varrit, mbanin mbishkrime me emrat e Thutmose II dhe Hatshepsut, duke siguruar prova përfundimtare të pronarit të varrit.

Mumja e Thutmose II  u zbulua në shekullin e 19-të në vendin arkeologjik të Deir el-Bahari. Sipas Muzeut Kombëtar të Qytetërimit Egjiptian, ka të ngjarë të jetë zhvendosur atje shekuj pasi u grabit nga grabitësit e varreve.