Florian Lamçja ka mbetur viktimë ditën e sotme pas një sherri me dy persona të tjerë në një lokal në qytetin e Elbasanit.

Panorama.al ka zbuluar fotografitë e realizuar nga tre të pranishmit në tryezën, e cila më pas degradoi në dhunë fizike dhe nga ku humbi jetën Florian Lamçja, i njohur me nofkën “Flor Qorri”.

Në tavolinë bashkë me Florian Lamçen ka qenë dhe Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini.

Bashkë me Sanxhaktarin në këtë tryezë ka qenë i pranishëm dhe shtetasi Adriano Hajdari, të dy të dyshuar për vrasjen e ditës së sotme.

Në foto shikohet se tre personat kanë qenë duke konsumuar alkool dhe shisha deri në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme. Madje në një pozë, Florian Lamcja shihet teksa përqafohet me Sokol Sanxhaktarin.

Sipas variantit të Policisë, viktima Florian Lamçja kishte pirë bashkë me dy autoret deri në orët e para te mëngjesit, dhe pas një sherri banal ka nisur dhuna verbale.

Dyshohet se ai është qëlluar me shishe birre, ku goditjet në kokë dyshohet i kanë shkaktuar vdekjen.

Florian Lamçja mëson Panorama.al, është vëllai i Olti Lamçja, i cili disa vite më pare ka vrarë me arme zjarri pronarin e një diskoje në Elbasan, Almir Canin.

Olti Lamçja është dënuar me 22 vite burg. Aso kohe u fol se vrasja e Canit ndodhi për një borxh.

Elbasan/ Informacion i Policisë

Në orët të para të mëngjesit, në lagjen ” Luigj Gurakuqi”, Elbasan , në gjendje të dehur janë konfliktuar duke u dëmtuar me njëri-tjetrin me shishe dhe sende të forta shtetasit A.H., 42 vjeç, S.S., 34 vjeç, dhe F.L., rreth 40 vjeç, banues në Elbasan.

Shtetasi F.L., si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.

Ndërsa dy shtetasit e tjerë të perfshirë në këtë konflikt kanë marrë plagë të lehta dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Elbasan, për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Grupi hetimor vijon punën pēr zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.