Arkeologët në Peru kanë zbuluar një qytet 3,500-vjeçar në provincën veriore Barranca, rreth 200 kilometra në veri të kryeqytetit Lima.
Qyteti, i quajtur Peñico, besohet të ketë qenë një nyje kyçe tregtare që lidhte komunitetet e bregut të Paqësorit me ato të Andeve dhe Amazonës.
Sipas studiuesve, Peñico është themeluar mes viteve 1800 dhe 1500 para Krishtit, në të njëjtën periudhë me qytetërimet e hershme në Lindjen e Mesme dhe Azi.
Gërmimet kanë zbuluar 18 struktura, përfshirë tempuj ceremonialë dhe ndërtesa banimi, si dhe objekte rituale, skulptura dhe stoli nga guaska deti.
Peñico ndodhet pranë zonës së qytetërimit Caral, i njohur si më i vjetri në Amerikë dhe konsiderohet një vazhdimësi e kësaj kulture.
Arkeologia Ruth Shady, që drejtoi kërkimet, tha se zbulimi hedh dritë mbi zhvillimin dhe fatin e Caral pas shkatërrimit të saj nga ndryshimet klimatike.
Zbulimi konfirmon edhe një herë rëndësinë e Perusë si vend me trashëgimi të pasur arkeologjike, përkrah vendndodhjeve ikonike si Machu Picchu dhe vijat e Nazca-s.