Igli Tare ka mbyllur një epokë te Lacio dhe pas 18 vitesh me kryeqytetasit, ka ardhur momenti i lamtumirës. Ish-futbollisti ka qenë 3 vjet lojtar i lacialëve dhe 15 vjet si drejtor sportiv duke korrur suksese të mëdha.

Largimi i tij nga Lacio ka qenë i paralajmëruar megjithëse shpesh herë kishte shkëndija për një rinovim të mundshëm. Megjithatë, fundi tashmë erdhi dhe nuk ka kthim pas, e ndërkohë në Itali kanë zbuluar edhe prapaskenën që ka çuar në largimin e Igli Tares nga posti i drejtorit duke mos e rinovuar kontratën me ta.

Problemet e shumta me trajnerin Maurisio Sarri kanë bërë që Tare të kërkojë largimin ose të jetë Sarri ai që do të largohet nga skuadra. Sipas asaj që raporton “Calciomercato”, presidenti Lotito ka tentuar disa herë që t’i ulë në tavolinë për të diskutuar dhe për të sheshuar gjithçka që ka ndodhur mes tyre, por pa ia arritur asnjëherë.

Kjo ka bërë që Tare të marrë vendimin për të ikur në një sezon ku skuadra është nënkampione e Italisë dhe aktualisht ka një grup të shëndoshë, po bën lojë shumë të mirë dhe do të jetë në Champions sezonin e ardhshëm. E ardhmja e Tares, ende nuk dihet por nuk dihet ende as drejtori i ri sportiv i Lacios.